E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet më i fortë

Albert Bunjaku e ka lënë prapa krahëve periudhën e errët. Sulmuesi kosovar i është rikthyer stërvitjeve të lehta, pas lëndimit të rëndë që e kishte pësuar në gju pesë muaj më parë. 27 vjeçari shpreson të kthehet më i fortë se që ishte më parë. Nga Express më 24 shkurt 2011 në ora 12:25

Ai është rikthyer. Albert Bunjaku të martën i ka dhënë fund pritjes pesëmuajshe, që kur u lëndua në muajin tetor, për t’iu bashkuar skuadrës së Nurnbergut në stërvitjen e tij të parë.

27 vjeçari, i cili vitin që shkoi iu nënshtrua intervenimit kirurgjik në gju, ndihet i lumtur që i dha fund periudhës së patericave për t’iu kthyer stërvitjeve.

“Ndihem jashtëzakonisht mirë që jam këtu sërish me shokët e skuadrës. Do të punoj tash e tutje me përgatitësin atletik”, ka thënë përfaqësuesi zviceran për magazinën gjermane Bild.

Ky është vetëm një hap i vogël përpara. Në javët e ardhshme nuk pritet që ai të zhvillojë stërvitje normale, por të veçanta. Sulmuesit kosovar fillimisht i nevojitet ta rikuperojë 30 përqindëshin e masës së muskujve të këmbëve. Vetëm atëherë mund të mendohet për stërvitje më të rënda.

“Ndoshta për momentin nuk jam shumë i motivuar. Më me rëndësi është se e kam lënë prapa krahëve frikën. Shpresoj që sezonin e ardhshëm të kthehem më i fortë se më parë”, vazhdoi ish futbollisti i Erfurt.

Mirëpo, ai shpreson që edhe këtë sezon ta shijojë ndonjë minutë në Bundesliga. “Do të ishte fantastike që këtë sezon të luaja në dy ndeshje. Do më mjaftonte të luaj vetëm 5 minuta”, shton gjilanasi.

Bunjaku e pranon se lëndimi i pësuar në ndeshje me Hamburgun ka qenë më i rëndi në karrierën e tij. Tre muajt e parë me paterica ai i përshkruan si një ferr.

Natyrisht, përkrahja e njerëzve e kanë ndihmuar atë që të jetë më i fortë. Atë nuk e ka harruar për asnjë moment as selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld. “Hitzfeld ka dhënë shenja dhe më ka ndihmuar mjaft. E vlerësoj interesimin e tij. Bëhet fjalë për një trajner që ka fituar gjithçka në jetën e tij, kjo është evidente”, tha në fund Bunjaku.

Sezonin e kaluar, kur debutoi në Bundesligë, futbollisti kosovar kishte realizuar plot 12 gola, duke e ndihmuar ekipin e tij që të mbijetojë në elitën e futbollit gjerman. Ky sezon nuk nisi mirë për të, pasi u lëndua rëndë në fillim të tij. Por, Bunjaku duket se tashmë e ka kaluar periudhën e vështirë dhe po mendon për të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›