E Premte, 6 Nëntor 2026

Scholz: Dialogu me Kosovën të sjellë marrëveshje gjithëpërfshirëse! Vuçiç: S’varet vetëm nga ne

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, kancelari gjerman Olaf Scholz është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Berlin, ku në fokus ka qenë dialogu mes dy vendeve të Ballkanit për normalizimin e marrëdhënieve.  Vuçiç tha se Beogradi është i gatshëm për një marrëveshje me Prishtinën por kjo nuk lidhet vetëm me dëshirat e Serbisë , por edhe me ato të palës tjetër.

“Do të përpiqemi që të gjejmë një marrëveshje kompromisi, por siç e kemi të qartë, kjo nuk varet vetëm nga dëshirat tona, por edhe të palës tjetër. Do të gjendet kurajo për të bërë progres në këtë proces që nuk është i lehtë për Serbinë’, tha Vuçiç.

Kancelari Scholz tha se Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme.

“Kam biseduar me presidentin Vuçiç për rëndësinë e progresit në dialog që duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen brenda dialogut, kjo kërkon guxim dhe vendosmëri dhe të gjitha detyrimet e dakortësuara duhet të respektohen”, tha Scholz.

Lidhur me luftën në Ukrainë, ku Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiç tha se e kuptuar mesazhin e Gjermanisë.

 “Sa i përket Serbisë, ne kemi një qëndrim tjetër për Kosovën, Serbia ka qenë nën sanksione për një dekadë të tërë dhe është një ndjenjë ndryshe nga shumica e të tjerëve. Serbia e kuptoi mesazhin e Gjermanisë dhe të gjithë të tjerëve”, tha Vuçiç.

Më herët Scholz u takua me Albin Kurtin ku tha se Gjermania është e angazhuar për liberalizimin e vizave me Kosovën që kjo gjë të ndodh sa më shpejtë dhe se njohja e saj do të jetë pjesë marrëveshjes që do të bëjë me Serbinë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›