UKRAINË – Ministrja gjermane në vizitë zyrtare në Kiev për të nxitur investimet e rindërtimit

KIEV, 30 tetor /ATSH-DPA/- Ministrja gjermane e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan mbërriti sot në Kiev, në një përpjekje për të mbështetur vendin e shkatërruar nga lufta.
“Rindërtimi i Ukrainës nuk është i mundur pa një ekonomi të fortë. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të mbështesim qëndrueshmërinë e kompanive ukrainase”, tha Alabali Radovan në Kiev.
“Rindërtimi gjithashtu ofron mundësi për ekonominë gjermane”, shtoi ajo.
Alabali Radovan u takua sot në Kiev, me Oleksiy Kuleba, zëvendëskryeministrin për Rimëkëmbjen e Ukrainës, duke nxitur kompanitë gjermane të përfshiheshin më shumë në përpjekjet e rindërtimit.
Që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, Ministria Gjermane e Zhvillimit ka ofruar 2 miliardë euro (2,3 miliardë dollarë) ndihmë për Ukrainën.
Kohët e fundit, ekspertët vlerësuan koston totale të rindërtimit të vendit në më shumë se 500 miliardë euro, që do të thotë se kjo shumë parash nuk ka gjasa të arrihet pa investitorë privatë ose institucionalë.
Ekzistojnë tashmë fonde në të cilat paratë e investitorëve kombinohen dhe sigurohen nga fondet publike.
“Kontributet nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, po ndihmojnë në uljen e rreziqeve për investimet private në projektet e rindërtimit”, tha Alabali Radovan
Ajo vuri në dukje sektorin e energjisë të Ukrainës si veçanërisht premtues për investime, së bashku me teknologjitë e nevojshme urgjentisht.
Gjermania është një nga donatoret më të rëndësishme të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit të plotë rus dhe së fundmi ia kaloi Shteteve të Bashkuara te Amerikes si furnizuesja më e madhe e ndihmës ushtarake.
Megjithatë, udhëtimi i Alabali Radovan u përqendrua në nevojat e mbrojtjes civile.
Ajo vizitoi vendin e trajnimit për mbrojtjen civile në periferi të Kievit, ku dorëzoi një robot zjarrfikës të prodhuar nga kompania gjermane “Alpha Robotics” që mund të përdoret për të luftuar flakët në zona të rrezikshme.
Gjatë vizitës, Gjermania dhe Ukraina nënshkruan gjithashtu një numër marrëveshjesh që synojnë forcimin e bashkëpunimit për zhvillim midis dy vendeve, duke përfshirë 30 milionë euro kredi me interes të ulët që do t’u ofrohen ukrainasve të zhvendosur brenda vendit për strehim.
Gjermania po dhuron gjithashtu 72 milionë euro të tjera për Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) – për të krijuar strehim për personat e zhvendosur në Ukrainë, dhe 20 milionë euro të tjera së bashku me Zvicrën për të përmirësuar sigurinë energjetike.
Ndërsa, 37 milionë euro të tjera janë caktuar për kujdesin shëndetësor dhe rehabilitimin.//a.i/