E Martë, 3 Nëntor 2026

Seanca për Fredi Belerin, SPAK: Në WhatsApp premtoheshin “letra greke”

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme në procesin ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri kanë çuar në zbulimin e komunikimeve në telefon ku qytetarëve iu premtoheshin dokumente greke. Gjatë leximit të provave shkresore, SPAK i tha gjykatës se nga ekspertimi i telefonit të bashkëpandehurit Pandeli Kokaveshi është zbuluar një grup në aplikacionin Whats app, i quajtur “Himara ime je ti”!

Në këtë grup sipas prokurorisë, ka biseda rreth ndihmesës që do t’i ofroheshin qytetarëve të Himarës dhe zonave përreth, ndër to edhe për sigurimin e “letrave greke”.

Madje në një bisede, Beleri i ka tërhequr vëmendjen Kokaveshit me fjalët: “Çfarë janë këto biseda. Nga këto do të digjesh ti”!  Në seancë u tha gjithashtu se telefoni celular i Fredi Bejlerit nuk ishte këqyrur, pasi ai nuk kishte dhënë kodet e tij.

Provat shkencore u kundërshtuan nga avokatët e Belerit pasi, sipas tyre, nuk kanë lidhje me objektin e gjykimit dhe bisedat janë kryer më herët se sa të kryhej vepra penale.

Përmes avokatëve të tij, Beleri i konsideroi të pavlefshme dhe të pa përdorshme aktet e regjistrimit të hetimit nga Prokuroria e Vlorës. Po ashtu kërkuan pavlefshmëri të autorizimeve të përgjimeve ambientale dhe fotografimit të fshehtë nga i infiltruari. Fredi Beleri u arrestua pak ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit pasi akuzohet për shitblereje votash.

/rtsh/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›