E Enjte, 5 Nëntor 2026

Seanca për “Gërdecin”, GJKKO: Ekspertët do të përgjigjen me shkrim, Mediu: Proces absurd

TIRANË,10 korrik/ATSH/ Në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vijoi sot shqyrtimi i dosjes “Gërdeci”, ku mes të akuzuarve është dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Gjatë seancës së zhvilluar sot në GJKKO të pranishëm ishin 5 ekspertët; Bexhed Zeqiri, Ymer Stafa, Rasim Metallari, Latif Cela, Mondi Hoxha, të cilët kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi në Gërdec.

Të pranishëm në sallë ishte dhe vetë i pandehuri bashkë me dy avokatët e tii, Henrik Ligori dhe Ardian Visha.

Pjesë e seancës ishin dhe familjarët e Erison Durdës dhe avokati mbrojtës, Dorian Matlia.

Gjatë seancës, avokatët mbrojtës të Mediut kërkuan nga ekspertët që të njihen me mënyrën dhe metodikën e përdorur për nxjerrjen e dëmit ekonomi. Por ekspertët kanë deklaruar se të gjitha përgjigjet gjenden në aktin ekspertimit. Kjo shkaktoi debat mes palëve.

Në këto kushte, Gjykata vendosi që të procedojë me depozitimin e pyetjeve me shkrim nga palët dhe pastaj me paraqitjen e tyre po me shkrim.

Sipas GJKKO, deri nesër në orën 16:00 palët do duhet të kenë dorëzuar pyetjet me shkrim, dhe ekspertët e thirrur nga gjykata për Gërdecin, do të duhet të jenë përgjigjur me shkrim në datë 17 korrik.

GJKKO në këto kushte ka shtyrë seancën gjyqësore për në 17 korrik ora 09:00’.

Ish-ministri Mediu në një deklaratë për mediat nga SPAK deklaroi se çështja po kthehet në një proces absurd, pasi ministri nuk ka asnjë lidhje me komisionin e çmimeve.

“Procesi kërkon të bëjmë debat me dëshmitarët. Ky nuk është më debat gjyqësor, por synon të marrë gjërat të mirëqena dhe për të vendosur përballë disa fakte të shkruara që nuk kanë asnjë lidhje me ministrit. Kjo nuk është kohë e mjaftueshme sepse është një material voluminoz. E gjitha kjo është një situatë absurdi”, tha Mediu.

Mediu po përballet në GJKKO me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, për ngjarjen e ndodhur në 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, ku pas një shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona.

Vijon

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›