Seancë të jashtëzakonshme për presidentin
PRISHTINE- Kuvendi i Kosoves mblidhet sot pasdite ne seance te jashtezakonshme per zgjedhjen e presidentit konsensual, qe si u be me dije nje dite me pare eshte Atifete Jahjaga. Lajmi per mbledhjen e Kuvendit u njoftua nga shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili konfirmoi se janë mbledhur edhe nënshkrimet e nevojshme për seancën e jashtëzakonshme dhe dy kandidatët për president.
Grabovci deklaroi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së, se përveç kandidates konsensuale Atifete Jahjaga, do të jetë edhe një tjetër kandidat i AKR-së, por nuk është bërë i ditur emri.
Në mbledhjen e Grupit parlamentar të PDK-së nuk kanë qenë të pranishëm Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, por Grabovci këtë mungesë e ka arsyetuar, duke thënë se ata kanë qenë të zënë me angazhime tjera.
Kuvendi mblidhet për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës, post ky që tani pritet të udhëhiqet nga një femër, për të cilën janë pajtuar dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, e po ashtu është pajtuar edhe Behgjet Pacolli, i cili udhëhoqi vendin për 35 ditë.
Jahjaga ka ardhur si propozim konsensual për presidente të vendit pas dy ditë negociatash ndërmjet kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe kreut të dorëhequr të AKR-së, Behgjet Pacolli, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.