E Diel, 1 Nëntor 2026

“Onufri” në gjurmim të modernitetit në Shqipëri

“Piktura e jetës moderne” vihet në gjurmim të modernitetit në Shqipëri, duke sjellë në vëmendje fotografi të viteve 1915-1930, piktura të viteve 1960-1980, për të ardhur tek arti i ditëve tona (pikturë, skulpturë, vizatim, fotografi), i cili në këtë kërkim konsiston në një vazhdimësi të imazhit piktorik e figurativ për të dhënë një panoramë të evolucionit të imazhit modern në artin tonë. Ky do të jetë subjekti i artit pamor që do të prezantohet në Konkursin Ndërkombëtar “Onufri”, që do të çelet më 22 dhjetor deri më 5 shkurt në Galerinë Kombëtare të Arteve. Tematika është frymëzuar nga eseja e Charles Baudelaire, me të njëjtin titull, që e botoi në vitin 1863 në Paris. Kjo ekspozitë është një përpjekje për të ndërtuar një mënyrë të pari mbi artin shqiptar, duke u nisur nga nocioni i modernitetit. Ky nocion që na vjen prej Baudelaire-it e ndan artin në dy elemente: E bukura përbëhet nga një element i përjetshëm, i pandryshueshëm, sasia e të cilit është tepër e vështirë të përcaktohet, dhe nga një element relativ, rrethanor që do të jetë, si të dojë njeriu, herë tërë ansambli, herë epoka, herë moda, herë morali, herë pasioni. Kështu gjurmimi i modernitetit vjen në sintezë me një kërkim për rezonanca dhe afëri mes subjekteve të kësaj ekspozite dhe atyre që Baudelaire propozon si karakteristika të shfaqjes së modernitetit; moda, veshja, uniforma, figura e gruas apo e burrit, përshkrimi i aspekteve kryesore të jetës, si prodhimi, argëtimi, koha e lirë dhe estetika në ndryshim të vazhdueshëm janë në qendër të kësaj ekspozite. “Piktura e jetës moderne” apo kërkimi i modernitetit është një përpjekje për ta çliruar artin tonë nga klishe dhe formate të ditës, të cilat e tipizojnë dhe kategorizojnë atë nën terma apo përcaktime fundore. Ky kërkim kërkon ta vërë atë përballë vlerave universale dhe ta lërë të hapur qëllimin e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›