Sebepi “SHQUP” vë në nishan edhe Presidentin
Ne ndoshta jemi nga të rrallat vende të botës ku populli rëndom trajtohet nga krerët e lartë të shtetit si një kope e budallallepsur, e cila jo prej vapës, por prej indoktrinimit, hamendësohet sikur nuk e kupton, pasi është i paaftë të përtypë të vërtetën, prandaj mund të hajë edhe "bar", nëse këtë do t'ia kërkojë/ofrojë/lypë kryetari përkatës i partisë... Një popull që i pëlqen të gënjehet gjatë, nuk e meriton demokracinë. 23 qershori provoi të kundërtën. E megjithatë, kemi nisur të bindim e të pajtohemi me idenë se jetojmë në vendin e çudirave të padëgjuara e të pasosura... Jetojmë në një kohë kur një kryeministër që ka humbur zgjedhjet e, për këtë shkak, është dorëhoq nga partia, vazhdon të sillet si fitimtar, si udhëheqës "historik", si një sulltan që i jep të drejtë vetes të tjetërsojë apo të falë pasuritë kombëtare dhe pronat publike. Ky kryeministër në ikje e sipër ka aq "guxim" sa paralajmëron, kur e zë inati me kundërshtarin që e ka mundur, se mund të privatizojë jo vetëm SHQUP-in, por edhe Kryeministrinë dhe se, nëse ushtarakët në pension do të guxojnë të protestojnë, ai do t'ua heqë edhe statusin! Bir Selman i nënës, ç'të të qaj më parë! Ku jetojmë ne kështu? Nuk ka ditë të mos dëgjojmë ububura prej tij... Nuk dihet kur do t'i mbyllet goja e kur do të hyjmë në normalitet. Ky njeri na mban peng të komplekseve, fajeve dhe gabimeve të veta; akoma nuk është bindur se të merresh me politikë nuk do të thotë të mbash gjallë me çdo çmim sherret, sharjet e shpifjet, përplasjet e tensionet, trysninë e frikës dhe grindjet, ashtu si nuk e ka kuptuar se vërtet ka rëndësi se si, se kur dhe përse ke hyrë në politikë, por më shumë rëndësi paskësh se si do të dalësh prej saj... 'Facebook'-u i Berishës gjithsesi na furnizon përditë me kësi kërshërish e lebetish të padëgjuara kurrkund, as në historinë tonë të shkurtër si shtet, kur as telefon nuk kishim, prandaj me siguri do të përmendet nesër si ilustrim i mrekullueshëm për psikoanalizën reale të karakterit të tij. *** Askush nuk mund të parashikonte se një ndërtesë si SHQUP do të fuste në lojë, si një mollë sherri, jo vetëm kryeministrin dhe qeverinë e tij, po kësaj here hapur, edhe Presidentin e Republikës. SHQUP është sherri më i freskët mes pozitës dhe opozitës. Nishani, ky President i emëruar në mënyrën më të turpshme, nuk ngurroi të firmosë dekretin për kalimin e SHQUP-it të ushtrisë në pronësi të partisë që e emëroi, edhe pse shefi i shtabit e pat kundërshtuar. Por në vend që të jepte shpjegime për akuzat, - sipas maxhorancës së re, po edhe shtypit, ai dhe familja e tij paskan konflikt të pastër interesi, meqë trualli i ndërtesës së sotme të PD-së i takoka familjes së gruas së tij -, pra në vend që të jepte sqarime për këtë akuzë të bërë publike, Presidenti habitërisht u hodh në sulm kundër maxhorancës së nesërme qeverisëse, duke deklaruar: "Ditëve të fundit në mënyrë të përsëritur, ndaj Kreut të Shtetit janë adresuar shpifje, kërcënime dhe shantazhe nga aktorë të maxhorancës së re politike të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit". Fakti që nuk shqiptoi asnjë kundërshti për këtë akuzë të rëndë, e cila e cenon keqas kreun e shtetit, aq sa nuk do të mjaftonte vetëm shkarkimi, sigurisht nëse vërtetohet akuza, dëshmon kundër tij. Presidenti i Gjermanisë, Kristian Vulf, kur ka qënë kryeministër i Saksonisë së Ulët u akuzua se ka pas pranuar disa "dhurata" dhe që "t'u hapej udhë e lirë hetimeve", në kohën kur ishte President, në shkurt të vitit të kaluar dha dorëheqjen; kuptohet, besoj, për një akuzë më të lehtë se kjo që po i bëhet Nishanit... Një vit më parë edhe Presidenti Koehler, në maj të 2010, u dorëhoq për një deklaratë që u cilësua e gabuar, pas vizitës së tij zyrtare në Afganistan, se Gjermania u dashka të "marrë pjesë në operacionet ushtarake për të hapur rrugë të lira tregtare". Homologë të tjerë në Evropë janë dorëhequr pasi është zbuluar që në diplomat e tyre ka pasazhe të vjedhura nga autorë të tjerë... Sigurisht, ne nuk jemi Gjermani, ndaj nuk mund "të kërkojmë qiqra në hell". Vërtet Gjermani nuk jemi, por ama na është premtuar nga koalicioni fitues i majtë se do të bëhemi një shtet normal, se mazhoranca "do t'ia kthejë shtetin popullit", se do të ndalet rrënimi, se do të luftohet korrupsioni, duke dhënë shembullin nga lart. Po a mund të bëhemi shtet normal nëse do të mbyllen sytë dhe veshët edhe për rastet në fjalë, nëse krerët që kanë abuzuar, si ka ndodhur në këto 23 vjet, "për hir të stabilitetit", do të lejohen të gëzojnë milionat, pasuritë e tundshme e të patundshme, apo të ikin jashtë që të shijojnë favoret e imunitetit të pakufizuar e lavdisë së shkuar? *** Është e qartë se SHQUP-i dhe Presidenti po përdoren nga Berisha si tërheqje litari, apo si një indikator për të provuar vendosmërinë e qeverisjes së nesërme. Por këto dy raste, edhe pse duken si vogëlima para halleve madhore, si ç'janë kriza, gjendja e financave në buxhetin e shtetit, arsimi, shëndetësia, lufta kundër krimit dhe lazaratizimi e bathorizimi i periferisë, mbeten tregues të qartë të marrëdhënies së nesërme të qeverisë me Drejtësinë dhe me "rilindjen" e një shteti normal. Kështu, nëse dyshja Rama-Meta do të tërhiqet nga SHQUP-i, si po duken bathët, dhe nëse nuk do të hetohet Presidenti, e po qe se vërtet Nishani ka konflikt interesi në këtë çështje, atëherë mund të thuhet se po përsëritet e njëjta situatë e vitit 1997, kur të majtët erdhën në pushtet dhe kur u mjaftuan (u vetëkënaqën) me këtë fakt, duke e lënë "litarin jashtë" për "hir të stabilitetit"... Gjë që, si u vërtetua fill pas një viti, në shtator të 1998-tës e deri më sot, na ka kushtuar tepër shtrenjtë si shoqëri. Ky lloj "stabiliteti", kjo frikë nga "mamurrsit partiakë" na ka shkaktuar jo vetëm mijëra të ngujuar e të vrarë rrugëve, jo vetëm humbje kohe e shansesh në integrim e demokratizim, por është përcjellë edhe me shkatërrim e rrënim të pakthyeshëm të pasurive e të vlerave kombëtare. E pra, Shqipëria nuk bën përjashtim nga bota: ajo nuk mund të futet në normalitet dhe, për më tepër, asnjë reformë e premtuar nuk do të ketë sukses, po qe se klasa politike, pavarësisht nga ngjyrat, rangu dhe pozicioni në pushtet apo në opozitë, do të vazhdojë të zbatojë avazin e lashtë të Dumbabëve: bëni si them unë, po mos bëni si bëj unë... Reformat duan guxim e burrëri. Populizmi nuk e zhduk agoninë. Por në shoqërinë tonë nuk do të ketë kurrë drejtësi, rrjedhimisht as demokraci, po qe se krerët e plotfuqishëm nuk do të detyrohen të jenë të përgjegjshëm e llogaridhënës, të barabartë para Ligjit me ne qytetarët e thjeshtë. Duhet të marrë fund logjika absurde e imunitetit, sipas të cilit filan funksionar, pavarësisht nga fajet e nga krimet, kur akuzohet, shfajësohet dhe mbrohet duke pohuar se "po ndëshkohet për arsye politike"... Jo vetëm në një rast, kaq ka mjaftuar për të paralizuar e nxjerrë "me procedura" jashtë loje organet e Drejtësisë. Sa më i madh të jesh në post, aq më rëndë është përgjegjësia. Tek ne ndodh e kundërta. Pikërisht nga kjo flamë, që ndryshe quhet "kulturë e pandëshkueshmërisë", duhet të shpëtojmë. Prandaj qëndrimi i qeverisë së re ndaj SHQUP-it dhe sjelljes kësodore të kryeministrit dhe pas tij edhe të vartësit të tij, Presidentit të Republikës, ka për të shërbyer, në ditët në vazhdim si lakmues për seriozitetin dhe për vendosmërinë e qeverisë së re. Përndryshe, ne do të mbetemi aty ku kemi pas qenë dhe përsëri kemi për të dëgjuar nga të tjerë aktorë të rëndësishëm, si p.sh ata të KQZ-së, refrenin që përsëriti edhe Nishani në vetëmbrojtjen e tij të porositur e të urdhëruar nga shefi kryeministër, për ta përfshirë në lojën e vjetër me kungulleshka që na lë në qorrsokak: "Institucioni i Presidentit të Republikës garanton qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se nuk do të ndalet në funksionimin e tij dhe përmbushjen e detyrimeve kushtetuese"... Po kush e ka penguar Presidentin që të kryejë detyrimet kushtetuese, firma që ka hedhur në dekretin e tjetërsimit të SHQUP-it dhe ndërtimi i një shumëkatëshi në truallin e sotëm të PD-së? Është tepër e vështirë të përfytyrohet si mund të kryejë një President funksionet dhe përmbushjen e detyrimeve kushtetuese, duke iu fshehur hetimit, duke iu shmangur akuzave nëpërmjet metodës së vjetër staliniste: sulmi është mbrojtja më e mirë. Ja pra përse ai u instruktua të hidhet kundër maxhorancës së re, ende pa nisur punë, si një paradhënie, si një kod kanunor, duke e prishur formulën bazë kushtetuese, sipas së cilës Presidenti duhet të jetë garant i unitetit kombëtar... Vështruar me këtë sy, a nuk tingëllon kjo deklaratë e paprecedent si një sfidë e stërpërdorur që i bëhet jo vetëm mazhorancës së re, po edhe moralit të shoqërisë dhe organeve të Drejtësisë?
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)