Rrëfimi i vrasësit të Remzi Hoxhës

Edhe pse kanë kaluar dy ditë nga tentativa për vetëvrasje e Lefter Bashës, i cili pretendon se segmente të SHISH-it i janë vënë pas prej kohësh, duke e akuzuar si përgjegjësin e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha, ai vijon të flasë përçart, ndërsa nuk është marrë ende në pyetje nga ana e policisë, e cila është në pritje të përmirësimit të gjendjes shëndetësore të tij. I pyetur për masën ekstreme që tentoi të kryente para dy ditësh, të hidhej nga një lartësi e një impianti inertesh, ai thotë se në kushtet e tij ajo ishte e vetmja zgjidhje.
-Përse tentuat të vrisnit veten?
“Për shkak të mosgjetjes së të drejtës, për padrejtësitë që më janë bërë nga SHISH-i. Nuk mund të qëndroj më në shtëpi nga presionet që më bëjnë, pasi vijnë e më thonë se unë kam vrarë Remzi Hoxhën”.
-Ka qenë Remziu në shtëpinë tënde?
“Po, ka qenë, pasi e njihte ish-gruaja. Ai ka fjetur në shtëpinë time, ndërsa ish-gruaja më tha se ai ishte një kushëriri i saj. Por kur ai iku, ajo më tregoi se ai ishte një biznesmen, ndërsa këmbëngulte se Remzi Hoxha ishte i afërm i saj”.
-Kur e mësuat se ishte Remzi Hoxha?
“Kur në shtëpi erdhi një punonjës i SHIK-ut me mustaqe, i cili bisedonte vazhdimisht me ish-gruan time, ndërsa mua më pyeti se ku e njihja unë Remzi Hoxhën. Unë i kam thënë se ai është i afërm i gruas”.
-Si e kishte emrin ky punonjësi i SHIK-ut?
“Nuk e di emrin, ish-bashkëshortja duhet ta dijë, pasi e njihte. Ajo duhet të arrestohet dhe të pyetet, pasi mund të tregojë shumë gjëra. Jam i bindur për këtë, pasi nga ajo më kanë ardhur shumë probleme. Po kështu, më ka ardhur në shtëpi kur isha i martuar edhe i vëllai i Remzi Hoxhës, së bashku me një punonjës të SHIK-ut dhe më tha se unë kisha dijeni për vrasjen e Remziut. Unë e garantoj se as nuk di gjë për të, ish-gruaja ime ndoshta”.
-I shikoni lajmet në televizor apo gazeta?
“Jo, nuk lexoj gazeta dhe as shikoj televizor”.
-Por, as kohët e fundit nuk keni parë në televizor apo gazetë foton e Remzi Hoxhës?
“Jo, nuk e kam parë, ju thashë nuk shoh televizor”.
-Përse këmbëngulni që të pyeteni në Tiranë dhe jo në Laç?
“Sepse nuk kam besim këtu, pasi të gjithë presionet më janë bërë në Laç. Kur dilja në rrugë, ndalonin makinën e më kërcënonin. A ishin punonjës të SHIK-ut a çfarë, këtë ishin nuk e di”.
-Jeni penduar për veprimin që ndërmorët?
“Eh, nuk e di”.