E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdini: Asgjë nuk ndryshon tek Elbasani

Kryetari i Bashkisë ka tentuar të tregojë se ekipi është i qetë dhe se nuk ndikohet aspak nga arrestimi i Arben Lazes

ELBASAN- Arrestimi i presidentit të “FK. Elbasani”, Arben Laze, për trafik lëndësh narkotike, ka sjellë panik dhe shqetësim në radhët e sportdashësve të qytetit por edhe drejtuesve vendorë. Laze ishte aksioneri kryesor në klub por edhe financuesi numër një. Tashmë arrestimi i tij lë shumë pikëpyetje pas vetes. Si do të mbijetojë klubi i Elbasanit? Kush do të paguajë rrogat e larta të futbollistëve por edhe shpenzimet e tjera? A ndikon situata e krijuar në mentalitetin e futbollistëve...

Duke dashur të heqë pak tensionin nga kjo situatë e zjarrtë, kreu i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ka vendosur të jetë në fillimin e stërvitjes së ekipit ku ishin të pranishëm të gjithë. Ai ka takuar tre trajnerët dhe më pas, së bashku me ta ka hyrë në fushën e stërvitjes. Sejdini ka bërë një takim paraprak ku i ka kërkuar futbollistëve të mos mendojnë për arrestimin e presidentit, por për rezultatet e ndeshjes së radhës. Po kështu numri një i qytetit që disponon edhe numrin më të madh të aksioneve pas Lazes, ka dashur të qetësojë edhe opinionin publik. “Është një ditë e zakonshme stërvitjeje në ekipin e futbollit të Elbasanit. Një ditë normale për të gjithë ne pasi i ndjekim ritmikisht stërvitjet e ekipit, aq më tepër që jemi dy ditë para një ndeshjeje të rëndësishme me Besën e Kavajës. Në ekip nuk ka asnjë mungesë. Ekipi është i mobilizuar për stërvitje. Takimet tona me ekipin janë të zakonshme dhe të përhershme dhe shpresojmë në një rezultat pozitiv që për ekipin e Elbasanit është vendimtar për vetë pozicionin dhe pikët që ka në tabelën e klasifikimit”,- tha dje Qazim Sejdini.

Duke iu përgjigjur pyetjes për gjendjen psikologjike të ekipit pas arrestimit të presidentit Arben Laze, Sejdini tha se do të pritet përfundimi i hetimeve pasi deri tani nuk ka asgjë zyrtare mbi përfshirjen e presidentit Laze në ndonjë aferë të paligjshme. “Dua t’ju them se së pari ne nuk kemi asgjë zyrtare. Jemi njohur me faktin dhe është një njoftim i dhënë nëpërmjet medias dhe shtypit. Do të jetë zyrtare kur të përfundojnë hetimet, gjykimet dhe vendimet e drejtësisë, por një gjë të kemi qartë të gjithë dashamirësit e futbollit që ekipi i futbollit është shoqëri aksionere me tre aksionerë: z.Laze, z. Çërraga dhe Bashkia Elbasan. Ky ekip i ka financat e garantuara për shkak të marrëdhënieve shumë të mira mes ortakëve në dobi të futbollit të Elbasanit”,- tha Sejdini. Duke kërkuar një nivel të lartë përqendrimi si nga skuadra, ashtu edhe nga vetë trajnerët Sejdini u ka garantuar mbështetjen maksimale të pushtetit lokal.

“Qetësinë” e ka konfirmuar edhe trajneri Mirel Josa por gjërat nuk duken edhe aq të thjeshta për ekipin e Elbasanit. Asnjë nga deklaratat nuki ka “bindur” tifozët verdheblu. Në faqen zyrtare të klubit nuk është bërë asnjë koment në lidhje me këtë çështje ndërsa në atë të tifozëve ekziston ende lajmi i arrestimit të presidentit. Pas kësaj, asgjë. Duket sikur edhe faqja e internetit ka ndaluar së funksionuari. Bardha Nergjoni

Sejdini: Do të paguajmë deri në fund pagat e lojtarëve, Elbasani ka edhe aksionerë të tjerë

Laze zotëron 44% të klubit Elbasani

Në një intervistë të shkurtër, kreu i Bashkisë së Elbasanit ka komentuar situatën aktuale. Ai ka pohuar se Laze disponon 44 për qind të aksioneve të klubit por kjo nuk do të pengojë shlyerjen e pagave të futbollistëve.

Zoti Sejdini, si do ta përballojë situatën financiare ekipi pas kësaj ngjarjeje?

Ekipi i futbollit i ka financat e siguruara dhe ka të garantuar mbështetjen jo vetëm të bashkisë dhe kryetarit të bashkisë, por edhe të këshillit bashkiak të Elbasanit.

Cili ishte roli i Arben Lazes në klubin e futbollit Elbasan?

Presidenti Laze është investitori kryesor i klubit dhe futbollit elbasanas. Kontributi i tij ndër vite ka qenë maksimal. Dua të them se në sajë të kontributit të tij dhe ortakëve, por sidomos të tijin, Elbasani u shpall kampion dhe nënkampion i Shqipërisë. Ka pasur dhe ka rezultate shumë të mira. Është ekip pretendent, vazhdon të jetë i tillë, kemi synime edhe për kupë dhe për kampionatin dhe dua të them se ai është një nga kontribuesit kryesorë të futbollit në Elbasan.

Vazhdon të mbetet president Arben Laze edhe pas arrestimit nga policia?

Sigurisht që vazhdon të mbetet. Ka 44 % të aksioneve, 33 % bashkia dhe 13% Gentian Cërraga. Pagat e lojtarëve do të shlyhen 100% për këtë të jeni të sigurt.

Si do të veprohet me merkaton e janarit?

Planet e ekipit janë të detajuara. Të përfundojmë këtë ndeshje, e cila është shumë e rëndësishme, ndërsa për sa i përket merkatos do të jetë një bisedë mes ortakëve, trajnerëve, këshillit të trajnerëve. Aty do të shohim dhe nëse do ta kemi të nevojshme, do ta realizojmë. Ne kontigjentin e lojtarëve që kemi dhe kontratat e nënshkruara dhe të rregullta që do të kemi.

Lojtarët kanë preferuar të heshtin. Tifozët: Nuk mund të jetë e vërtetë, ky është një sulm ndaj futbollit

Tifozët mblidhen tek fusha e stërvitjes

ELBASAN - Fusha e Vjetër e sportit ku edhe stërvitet çdo ditë ekipi i Elbasanit ka grumbulluar sportdashësit, të cilët janë shprehur mjaft të tronditur pas arrestimit të presidentit të “KFV Elbasani”, Arben Laze. Ndryshe nga drejtuesit e mëparshëm Laze kishte treguar se e donte mjaft futbollin dhe kjo ka bërë që e enjtja e Krishtlindjeve të mos përjetohet mirë si nga futbollistët, trajnerët, po ashtu edhe tifozët. Duke mos i besuar lajmit për arrestimin e Lazes, sportdashësit kanë vazhduar ta cilësojnë një sulm kundër futbollit. Ata thonë se si ky president nuk i vjen më njeri tjetër Elbasanit. Drejtuesit e Klubit kanë evituar të flasin për këtë ngjarje, ata madje kanë refuzuar edhe mediat.

Trajneri i ekipit, Mirel Josa, ka përmendur si objektiv vetëm ndeshjen e radhës ku Elbasani ka si synim fitoren duke evituar fjalët për të ardhmen e ekipit pa presidentin dhe aksionarin kryesor Arben Laze. Përpjekjet e teknikëve janë përqendruar jo vetëm në përgatitjen fizike, por edhe në atë psikologjike të futbollistëve. Presidenti Laze ishte edhe ai që nëpërmjet pasionit që transmetonte në ekip bënte që lojtarët të ndiheshin të sigurt nën fanellën verdheblu. I gjithë formacioni ka qenë në fushë për stërvitje dhe në heshtje lojtarët janë shfaqur të trembur me gjithë mbështetjen e bashkisë dhe të vetë trajnerëve për të ecur përpara me objektiv ndeshjen me Besën. I gjithë opinioni publik i Elbasanit është zgjuar i interesuar për atë që i ka ndodhur drejtuesit të krenarisë së qytetit, siç është edhe ekipi i futbollit. Qytetarët kanë rendur të mësojnë më shumë nëpërmjet shtypit të përditshëm dhe bisedat kryesore të tavolinave kishin lidhje pikërisht me Arben Lazen. Nexhat Bizhdili, presidenti i Besës 

Në një ngjarje e tillë dëmton rëndë futbollin shqiptar. Z. Laze nuk është i pari që është i përfshirë në afera të tilla. E mira do të ishte që të mos ndodhte kjo. Mëerdhi shumë keq kur e mora vesh sepse ai është një koleg që ka investuar 4-5 vjet për klubin e Elbasanit. Unë kërkoj që një grup prokurorësh apo gjyqtarësh, të tatim-taksës apo dhe të tjerë të merren me këtë pune sepse nuk duhet të prishet imazhi i futbollit shqiptar. Janë rreth 30 presidentë klubesh që drejtojnë në të tre ligat skuadrat shqiptare dhe është mirë që të verifikohen këto punë që mos të përfshihen të gjithë në një thes. Unë kam 13 vjet që punoj me bilance të rregullta. Përpara një jave pata kontrollin në klub dhe rezultoi se ishim në rregull.

Dashnor Sulaj, deputet, zv/presidenti i Shkumbinit

Zv/presidenti i skuadrës së Shkumbinit, Dashnor Sulaj, ka theksuar që ka ende persona të tillë në sport dhe veçanërisht në futbollin shqiptar. Për këtë arsye ai i bën një thirrje kujtdo që është i dyshuar për trafiqe dhe për paratë që investon në sport, të largohet përpara se të jetë vonë. “Nuk mendoj që janë të përfshirë të gjithë presidentet e futbollit të implikuar në trafiqe por janë persona të numëruar me gishta. Duhet të jetë në moralin e tyre të largohen nga sporti sa s’është vonë. Futbolli është i të gjithë shqiptarëve dhe jo i personave që mbajnë peng sportin e një qyteti të caktuar”,- tha dje Dashnor Sulaj.

Prokuroria

Zbardhen detajet e para të trafikut të organizuar nga presidenti i FK. Elbasanit. Skema e funksionimit të trafikut dhe përgjimet që tradhtuan të arrestuarit

Laze ishte në Maqedoni për të paguar drogën

TIRANË- Dy ditë pas arrestimit të presidentit të ekipit të futbollit të Elbasanit Arben Laze, Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh disa nga detajet e operacionit tremujor të zhvilluar ndaj tij. Sipas të dhënave të para të prokurorisë, 40 -vjeçari Laze dyshohet se prej vitesh kontrollonte trafikun e drogës nga Maqedonia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas furnizonte linjat e rrjeteve të ndryshme që trafikonin drogën drejt Greqisë e Italisë, por vetëm rasti i fundit është arritur të provohet. Në këtë rast ai është përgjuar, vëzhguar e fotografuar në takimet e bisedat që ka kryer me bashkëpunëtorët e tij e veçanërisht me shtetasin Arben Prifti, shtetasi ky që ka porositur një kg heroinë nga presidenti Laze. Ky i fundit, pas sigurimit të drogës, e ka ngarkuar me detyrë vëllanë e tij Fatjon Lazen të kryente rolin e transportuesit të drogës për t’ia dorëzuar mallin porositësi fierak Prifti.

Pas lënies së detyrave, sipas akuzës, Laze është nisur të martën paradite drejt Maqedonisë ku mendohet se ka ikur për të shlyer detyrimet e drogës por edhe për të nxjerr alibinë nëse i vëllai arrestohet, se ai nuk kishte dijeni pasi ndodhej në Maqedoni. Por, prokurori i çështjes, Edvin Kondili, duke parë të gjithë këtë skemë, ka organizuar seksionin e antidrogës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të mbahej gjithçka e fshehur në pritje të kthimit të presidentit Laze nga Maqedonia. Dhe vetëm pasditen e së mërkurës rreth orës 17:30 kur Laze ka lënë traun e doganës së shtetit fqinjë, Maqedonisë, për tu paraqitur në doganën shqiptare të pikës kufitare të Qafë Thanës, atij i janë vënë prangat në duar pa i komunikuar asgjë. Menjëherë pas prangosjes së presidentit Laze, policia, nën urdhrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e ka sjellë 40- vjeçarin në Drejtorinë e Policisë. Aty Laze është vendosur në një qeli me të arrestuarit e tjerë, vëllanë e tij Fatjon Laze, Arben Priftin dhe shtetasin Shkëlqim Hyzmo. Këtë gjë prokuroria e ka bërë në mënyrë që të përgjojë bisedat e tyre dhe të zbulojë ndonjë detaj tjetër në lidhje me çështjen. Sipas akuzës, nga ora 22:00 e darkës janë marrë në pyetje një nga një nga hetuesi dhe prokurori i Krimeve të Rënda, por nuk kanë pranuar të flasin duke kërkuar përfaqësimin e tyre me mbrojtës ligjor.

Mësohet se në momentin e arrestimit, Arben Lazes, përveç dokumenteve të makinës dhe disa fotografi të ndryshme i janë sekuestruar edhe një mijë euro që kishte me vete. Gjatë ditës së djeshme mësohet se policia ka kryer kontrolle edhe në banesat e të arrestuarve, ku nuk ka gjetur ndonjë send apo gjë të dyshimtë që mund t’i ngrihet vepër penale. Mësohet se të katër të arrestuarit, dy vëllezërit Laze dhe Prifti e Hyzmo kanë konsumuar elementë të veprës penale të “trafikut të lëndëve narkotike” në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal”, ndërsa ndaj vëllait të presidentit të ekipit të futbollit të Elbasanit, shtetasit Fatjon Laze prokuroria ka ngritur edhe akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, pasi në momentin e arrestimit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit “TT” me shtatë fishekë brenda. Gjithashtu, burimet e “Shekullit” shtuan se është urdhëruar verifikimi i pronave dhe pasurive të katër të pandehurve, në veçanti të presidentit të klubit futbollit të Elbasanit pasi dyshohet se ka një pasuri të ndryshme, për shkak se prej pesë vitesh financonte ekipin e qytetit të tij Elbasanin. “I janë dërguar të gjitha filialeve të bankave në Shqipëri dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që të verifikohen llogaritë bankare dhe pasuritë që rezultojnë nën emrin e tij dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes”,-thanë burimet e prokurorisë.

Arrestimi i Hyzmos që zbuloi trafikun

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda që nga tetori i këtij viti ka filluar përgjimin, vëzhgimin dhe hetimin e katër të arrestuarve mes tyre presidentin e klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze. Nga hetimet dhe vëzhgimet e kryera nga grupet speciale të policisë ka rezultuar se shtetasi Arben Prifti e ka takuar presidentin Laze duke i kërkuar sigurimin e një kg heroinë. 40- vjeçari Laze pasi ka siguruar drogën e ardhur nga Maqedonia e ka ngarkuar vëllait e tij Fatjon Laze të dërgonte drogën në Divjakë ku e priste Arben Prifti. Por, vetë porositësi i drogës nuk ka preferuar të dalë që të presë mallin por ka nxjerrë kushëririn e tij, Shkëlqim Hyzmo. Pas shkëmbimit të mallit me paratë, dy transportuesit janë larguar në drejtime të ndryshme, por vetëm pak metra më larg policia ka arrestuar shtetasin Hyzmo. Arrestimi i tij është kryer rreth orës 01:00 pas mesnatës duke u gdhirëdita e mërkurë në vendin e quajtur Kthesa e Divjakës, pranë komunës Çermë.

TË ARRESTUARIT

Arben Laze, lindur më 13.06.1968 dhe banues në Elbasan, aktualisht Presidenti i Futboll “Klub Sportiv Elbasan”.

Fatjon Laze, lindur më 11.08.1978 në Shkodër dhe banues në Elbasan

Shkëlqim Hyzmo, lindur më 05.11.1965 dhe banues në Lushnje, me punë shofer.

Arben Prifti, lindur më 19.02.1968 dhe banues në Fier

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›