E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Hapja e dosjeve, e vonuar

Presidenti i Republikës flet për ligjin e dosjeve, dekorimin e përfolur, marrëdhëniet me Berishën, dhe jetën e tij jashtë punës

"Gjithmonë ka pasur tentativa për t'i hapur dhe për t'i mbyllur, por dua të them se kemi qenë dhe jemi të vonuar”

Besoj që duke respektuar pozicionin që kam, dua të jem mjaft i kujdesshëm për të mos paragjykuar asgjë nga ana e ndërtimit ligjor. Deri në këto momente ligji ende nuk ka ardhur në zyrën e presidentit. Por natyrisht që qysh nga ditët e para të vendosjes së demokracisë unë jam shprehur për domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve. Kam qenë i parimit që njerëzit që aspirojnë të marrin poste publike dhe pozicione që influencojnë në vendimmarrje dhe bërjes së opinioneve natyrisht duhet të kenë një biografi të pastër.

Ju propozuat një draft, por atij i janë bërë disa ndryshime të vogla. Ju si autor të atij drafti të mëparshëm si i shikoni këto ndryshime?

Unë nuk mund të vendosem në një pozicion të dyfishtë. Unë flas si president. Ai dokument ka qenë ndërtuar shumë mirë, dhe unë shpreha vullnetin e grupit parlamentar të PD-së. Natyrisht i qëndroj atij varianti përderisa e kam nënshkruar. Ndërsa sot, në këtë pozicion, më lejoni të marr kohën e duhur për të ushtruar detyrat e mia kushtetuese. Ju siguroj se mbi bazën e një konsultimi të thellë dhe të plotë me ligjin dhe kushtetutën do të marr pastaj vendimin që më të takon të marr.

Si i shihni akuzat që janë bërë nga ndërkombëtarët se, ky ligj për dosjet shihet dhe si një nga përpjekjet për të spostuar edhe prokurorët që sot po hetojnë dosjet e korrupsionit?

Unë personalisht preferoj të mos ndërhyj në këtë debat. Natyrisht, unë kam pozicionin tim dhe bindjet e mia rreth të gjitha çështjeve. Por ndryshe nga periudha kur kam qenë marrë me politikë aktive, ju siguroj kam pasur më shumë hapësira për të diskutuar. Ndërsa sot, unë jam i kufizuar nga konturet e pozicionit që kam për të mbajtur një qëndrim të matur dhe për të mos u shprehur para kohe.

Ndërkombëtarët kanë qenë shumë të qartë pasi e kanë prekur ligjin për tre nivele, në nivel politik, ligjor dhe kushtetues, ku kanë gjetur shkelje. Ju si gardian i Kushtetutës çfarë do të bëni?

Ligji ende nuk ka ardhur. Të mos paragjykojmë. Unë do të marr ligjin. Do bëj konsultimet dhe studimin e ligjit. Por gjithmonë kam qenë vlerësues për të gjithë ndihmën që partnerët ndërkombëtar i kanë dhënë proceseve demokratike në Shqipëri, qoftë për Këshillin e Europës, qoftë për partnerët e BE-së, por në mënyrë të veçantë për SHBA-në të cilat gjithmonë kanë qenë aleatë dhe mbeten aleatët kryesorë në të gjitha betejat për demokracinë. Unë mendoj se kjo është një çështje që do të diskutohet në sensin e duhur për të mos marrë keqkuptimet, por për të arritur në standardet e nevojshme për demokracinë e re. Dua ta theksoj se çështja e hapjes së dosjeve ndoshta është edhe e vonuar. Gjithmonë ka pasur tentativa për ti hapur dhe për ti mbyllur, por dua të them se kemi qenë dhe jemi të vonuar.

Pse jemi vonuar?

Jemi vonuar sepse pas 18 viteve diskutohet prapë nëse duhen hapur ose jo. Duhet të ishin hapur. Kjo është një shoqëri e hapur dhe patjetër që njerëzit duhet ta kuptojnë se ata që kanë pasur probleme të kësaj natyre nuk ka pse sot të qëndrojnë ende. Ne jemi një vend i lirë dhe ka mjaft hapësira për profesione të ndryshme. Le ta bëjnë karrierën ato që nuk kanë probleme të tilla.

Ju deklaruat se do të bëni konsultim. Kjo do të jetë si konsultimet e kandidaturave të Gjykatës së Lartë?

Këto janë çështje të karakterit metodik që zgjedh Presidenti. Nuk është e thënë që të ndiqet e njëra praktikë. Kjo është një praktikë pune e imja dhe në pozicionin tim nuk mund të ketë emocion.

Kryetari i PD-së ju referua dekorimit nga ana juaj të një prokurori në pension Skënder Brecit. A keni ju një koment për të?

Pa dyshim ndjej keqardhje. Bëhet fjalë për një personazh që unë se kam njohur ndonjëherë. Padyshim, procedura e dekorimeve që realizohet nga institucioni i presidentit ndjek një rrugë të caktuar institucionale. Për fat të keq qoftë në momentin e propozimit, qoftë në atë të filtrimit ka pasur një handikap dhe me bindje them se është një vendim, një procedurë për tu rivendosur, për tu rigjeneruar. Nga hulumtimet që kam bërë rreth kësaj procedure stafi që e ka asistuar është mjaftuar në referenca shumë sipërfaqësore. Ka marrë parasysh që ky person ka punuar në institucione të rëndësishme në vitet e demokracisë dhe ka mjaftuar për të thënë se gjithçka është e pastër. Ndiej keqardhje dhe padyshim që gjithçka do të rivendoset në moralin e vet.

Ju thatë se drejtësia duhet të jetë larg politikës. Duke iu referuar procesit hetimor të rrugës Durrës-Kukës mendoni se prokuroria duke lënë afatet e hetimit deri në ditë të fundit la shteg të interpretohej se po ndikohej nga politika?

Nuk mund të futem në çështjet e perceptimit të punës së prokurorisë, sepse qysh nga dita e parë e në vazhdimësi kam qenë i parimit se institucionet e pavarura duhet të jenë të pavarura. Kjo është një çështje ekskluzive e këtyre institucioneve.

Kthimi i Kodit hapi një spirale të fortë në debatin politik, ndërkohë që LSI po kërkon dhe korrigjime të tjera. Si i shihni?

Kjo është një çështje që ka të bëjë me vullnetin e partive parlamentare dhe me vendimmarrjen parlamentare. Në këtë fazë që jemi është një moment i tejkaluar, qoftë për atë vendimin që ka marrë presidenti, ashtu edhe për vendimmarrjen që ka bërë komisioni i reformës zgjedhore. I takon seancës plenare për tu pozicionuar në mënyrë definitive por mendoj se kjo është tendenca e shprehur dhe një tendencë që duket se do të shkojë në këtë drejtim.

Pra që duhet respektuar vendimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore?

Unë nuk mund të them asgjë tjetër sepse e kam kthyer për një motiv që e shpreha dhe nuk e kam kthyer për motive të tjera.

Duket se kanalet e komunikimit me drejtuesit e mazhorancës janë ngushtuar pak. A është e vërtetë?

Unë do doja që ta linim këtë në aksesin e perceptimit të medias. Për mua është shumë e rëndësishme që të ketë raporte njerëzore. Të konsolidohen raportet njerëzore. Dhe raportet njerëzore në marrëdhëniet institucionale duhet të jenë në funksion të respektimit të pozicionit të gjithësecilit. Gjithçka bëhet fjalë jo për debate të karakterit personal. Kush e percepton kështu gabohet. Këtu diskutohet për çështje mjaft parimore që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit, me strukturat e saj, me marrëdhëniet ndërinstitucionale.

Po a jeni i sigurt se edhe pala tjetër e percepton në këtë mënyrë?

Unë nuk bëj analizë për të tjerët.

Kur kanë qenë komunikimet tuaj të fundit me zonjën Topalli dhe zotin Berisha?

Janë marrëdhënie të karakterit institucional.

A ka diçka edhe të karakterit personal në to?

Unë besoj se prevalon marrëdhënia institucionale.

Znj.Topi, si ka ndryshuar jeta juaj pas Topit President?

Unë vazhdoj punën atje ku kam qenë, pra në Ministrinë e Bujqësisë. Punoj në një sektor që më pëlqen. Kam po të njëjtat shoqe. Më janë gjendur shumë pranë. Jam munduar të kem po të njëjtat shoqe dhe mikesha të miat për të njëjtat arsye, sepse njerëzit që të afrohen në këto kohë janë shumë më tepër.

Pra i afrohen më shumë pushtetit sesa individit?

Prandaj jam munduar të mbaj të njëjtat njerëz afër meje në mënyrë që mendimet e tyre të jenë po të njëjta sepse njerëzit e rinj vijnë me marrëdhënie dhe interesa të reja.

Për dosjet

Unë mendoj se kjo është një çështje që do të diskutohet në sensin e duhur për të mos marrë keqkuptimet, por për të arritur në standardet e nevojshme për demokracinë e re. Dua ta theksoj se çështja e hapjes së dosjeve ndoshta është edhe e vonuar. Gjithmonë ka pasur tentativa për ti hapur dhe për ti mbyllur, por dua të them se kemi qenë dhe jemi të vonuar.

Për dekorimin e Skënder Brecit

Pa dyshim ndjej keqardhje. Bëhet fjalë për një personazh që unë se kam njohur ndonjëherë. Padyshim, procedura e dekorimeve që realizohet nga institucioni i presidentit ndjek një rrugë të caktuar institucionale. Për fat të keq qoftë në momentin e propozimit, qoftë në atë të filtrimit ka pasur një handikap dhe me bindje them se është një vendim, një procedurë për tu rivendosur, për tu rigjeneruar.

Për ligjin

Ligji ende nuk ka ardhur. Të mos paragjykojmë. Unë do të marr ligjin. Do bëj konsultimet dhe studimin e ligjit. Por gjithmonë kam qenë vlerësues për të gjithë ndihmën që partnerët ndërkombëtar i kanë dhënë proceseve demokratike në Shqipëri, qoftë për Këshillin e Europës, qoftë për partnerët e BE-së, por në mënyrë të veçantë për SHBA-në të cilat gjithmonë kanë qenë aleatë dhe mbeten aleatët kryesorë në të gjitha betejat për demokracinë.

Për Kodin Zgjedhor

Kjo është një çështje që ka të bëjë me vullnetin e partive parlamentare dhe me vendimmarrjen parlamentare. Në këtë fazë që jemi është një moment i tejkaluar, qoftë për atë vendimin që ka marrë presidenti, ashtu edhe për vendimmarrjen që ka bërë komisioni i reformës zgjedhore. I takon seancës plenare për tu pozicionuar në mënyrë definitive por mendoj se kjo është tendenca e shprehur dhe një tendencë që duket se do të shkojë në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›