E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Krijimi i “LDK-së së re”, me pasoja

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, që dikur ishte edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e tani mbetet “Kryetar Nderi” i kësaj partie, është shprehur se shtëpia e tij politike me traditë 22-vjeçare mund të dëmtohet nga tendencat e një pjese të lidershipit të saj, për t`i lënë jashtë strukturave partiake shumë njerëz që kanë punuar për LDK-në në kohë të vështira.

Ai është i bindur se ndërtimi i një “LDK-je të re”, të mbështetur në parimin e seleksionimit e jo të afrimit të anëtarëve të saj, do të ketë pasoja.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ai ka thënë se gjëja e parë që LDK-ja, do të duhej ta kishte bërë, është definimi i pozicionit të saj politik: nëse është opozitë apo pozitë.

Për të, LDK-ja nën udhëheqje të Mustafës, deri tani ka dëshmuar vetëm një jostabilitet në marrjen e vendimeve dhe në deklaratat politike.

Politikani që u largua nga Presidenca, për shkak se kishte bërë shkelje kushtetuese, që kishte mbajtur edhe postin e kryetarit të partisë, nuk ndihet përgjegjës për ngecjet e shtetit që mund të jenë bërë si pasojë e krizës institucionale që u shkaktua me rastin e dorëheqjes së tij.

Sejdiu, nuk e mohon se në të kaluarën ka pasur ndërmjetës me reputacion, që kanë dashur t`i bëjnë bashkë “rugovistët”, por që kanë dështuar dhe kjo jo për faj të tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›