Berisha dorëzoi kredencialet te Danilo Turk

Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha i ka dorëzuar dje në Lubljanë, Letrat Kredenciale Presidentit slloven Danilo Turk.
Ambasadori Berisha i ka përcjellë Presidentit slloven falënderimet e Presidentit Sejdiu dhe Qeverisë së Kosovës për ndihmën e vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë Kosovës.
Po ashtu, ambasadori Berisha e ka siguruar Presidentin Turk që do të angazhohet maksimalisht në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, me synim angazhimet konkrete në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, kulturës dhe arsimit.
Për ambasadorin Berisha, intensifikimi i raporteve ekonomike mes dy vendeve mund të realizohet duke kaluar fazën e këmbimeve tregtare në investime në Kosovë përmes iniciativave të përbashkëta të komuniteteve të biznesit duke përfshirë dhe kaluar në fazën e prodhimit.
Ndërsa ka shprehur kënaqësinë që Republika e Kosovës ka emëruar ambasadorin e vet në Slloveni, Presidenti Turk ka shprehur gatishmërinë e shtetit slloven dhe gatishmërinë e Tij si presidenti i vendit për të dhënë kontributin në procesin e legjitimitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Si angazhim konkret, presidenti Turk ka përmendur angazhimin rreth anëtarësimit të Kosovës në BERZH (Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) si dhe angazhime të tjera në kuadër të prezencës së Sllovenisë në organizata multilaterale.
Presidenti i Sllovenisë, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar edhe në forcimin e stabilitetit në rajon duke ofruar ndihmesë konform kërkesave eventuale të palës kosovare në raport edhe me shtetet fqinje.
Ai ka shprehur kënaqësinë që në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, ka pasur një pjesëmarrje të konsiderueshme të komunitetit serb, çka edhe është edhe shenjë pozitive.