E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu ka pritur sqarime për rastin e Rahovecit

Prishtinë, 18 gusht - Duke pasur parasysh komentet e ditëve të fundit rreth çështjes së Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Qazim Qeska, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës informon opinionin se Presidenti ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë veprimet e nevojshme që kërkohen me dispozitat ligjore në fuqi, thuhet në një komunikatë nga Presidenca e Kosovës.

“Më 16 korrik, Presidenti ka marrë shkresë njoftuese nga Ministria e Pushtetit Lokal, me anë të së cilës njoftohet për Komunikatën e z. Qeska drejtuar qytetarëve të Rahovecit, ku ai i ka njoftuar qytetarët e kësaj Komune për dorëheqjen e tij. Pikërisht për shkak të paqartësive në shkresat e dorëzuara, Presidenti është konsultuar me Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe me udhëheqësit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prej të cilëve ka kërkuar sqarimin e plotë të këtij rasti, në mënyrë që të ndërmarrë veprimet e nevojshme që janë në kompetenca të Presidentit. Deri sot, Presidenti Sejdiu nuk ka pranuar një sqarim të tillë”, thuhet në këtë komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›