Sejdiu mund të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme në Rahovec
Një fjalë e presidentit Fatmir Sejdiu, mund ta detyroj Qazim Qesken të futet prapë në garë për postin e të parit të Rahovecit. Ai është duke shqyrtuar letrën që AAK-ja dhe disa parti opozitare i kanë dërguar presidentit përmes së cilës kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në Rahovec.
Xhavit Beqiri, zëdhënës i presidentit të Kosovës, tha se Sejdiu po pret sqarime nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe KQZ-ja në mënyrë që të vendoset nëse do të shpall zgjedhjet e reja në këtë komunën që aktualisht udhëhiqet nga PDK-ja.
Beqiri, nuk e ka mohuar mundësinë që Sejdiu të vendos datën e zgjedhjeve të parakohshme.
"Unë nuk mund ta mohoj, por as ta pohoj një gjë të tillë. Kjo varet nga ajo çka ofron MPL dhe KQZ-ja", ka thënë Beqiri.
Gjithçka do të varet se fare kërkese do t'i bëjnë Sejdiut, KQZ-ja dhe Ministria e Pushtetit Lokal. Kërkesa e partive opozitare, për zgjedhje të parakohshme në Rahovec i ka shkuar edhe shefit të ICO-së, Piter Faith.