Sejko-Malige, BERZH gati të mbështesë financimin e bizneseve të vogla

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është gati të japë mbështetjen e saj për financimin e bizneseve të vogla në Shqipëri, sipas programit të hartuar nga Banka e Shqipërisë.
Kjo u theksua sot gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë mes Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Francis Malige, Drejtor Menaxhues për Institucionet Financiare në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në takim morën pjesë gjithashtu Grzegorz Zielinski, Drejtor Menaxhues i BERZH-it për Evropën Juglindore, Ekaterina Solovova, Drejtuese e BERZH-it për Malin e Zi, si dhe Hannes Takacs, Drejtues i Zyrës së BERZH-it në Shqipëri.
Takimi pason prezantimin në Shqipëri të nismës “We Finance Code”, organizuar në bashkëpunim ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe BERZH-it.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në sektorin bankar shqiptar, bashkëpunimin ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe BERZH-it, si dhe rolin e sistemit financiar në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua programit të Bankës së Shqipërisë për financimin e bizneseve mikro dhe të vogla, i cili synon të lehtësojë aksesin e tyre në financim dhe të mbështesë investimet dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre. Përfaqësuesit e BERZH-it e vlerësuan pozitivisht këtë program dhe objektivat e tij, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur Bankën e Shqipërisë në këtë nismë dhe për të shqyrtuar mundësitë konkrete të bashkëpunimit në zbatimin e tij.
Palët diskutuan gjithashtu mbi mbështetjen për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe rëndësinë e forcimit të vazhdueshëm të mekanizmave të sigurisë financiare. Në këtë kuadër, u vlerësua bashkëpunimi dhe asistenca e BERZH-it për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe evropiane.
Duke u ndalur te perspektiva evropiane e Shqipërisë, Guvernatori Sejko nënvizoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një orientim strategjik edhe për zhvillimin e sektorit financiar, duke kërkuar vijimin e reformave, harmonizimin e kuadrit rregullator dhe rritjen e standardeve të funksionimit të tregut financiar.
Nga ana e tij, Malige vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Bankën e Shqipërisë dhe progresin e sektorit bankar shqiptar, duke shprehur gatishmërinë e BERZH-it për të vijuar mbështetjen e reformave dhe iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin e sektorit financiar dhe në financimin e ekonomisë reale.
Guvernatori Sejko dhe Malige riafirmuan angazhimin për vijimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe BERZH-it, veçanërisht në fushat që lidhen me integrimin financiar evropian, forcimin e stabilitetit financiar dhe përmirësimin e aksesit në financim për bizneset shqiptare.
1 nga 5/k.s/a.f/