E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekiraqa hetohet për vrasjen e policit Triumf Riza

Enver Sekiraqa, dyzetvjeçar, për disa vjet ishte shpallur njëri ndër personat më të kërkuar në Kosovë dhe jashtë saj, por tash një vit ndodhet në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës. Disa herë forcat e rendit ishin munduar ta gjenin e arrestonin, por asnjëherë nuk arritën, derisa ai u vetë dorëzua. Sekiraqa ishte dorëzuar vullnetarisht tek prokurori special dhe policia speciale e EULEX-it me 28 shtator të vitit 2012 rreth orës 15.30. Prokurori i EULEX-it është duke zhvilluar hetimet për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë. Ndaj Enver Sekiraqës ishte lëshuar fletërreshtimi për arrest nga UNMIK-u në gusht 2007 me dyshimin se ka kryer vepra penale të krimit të organizuar. Më pas edhe EULEX-i në shkurt të vitit 2008 kishte lëshuar fletarrestim për kurdisjen e vrasjes së policit special Triumf Riza, dhe për këtë disa shokë të tij ishin dënuar.

Problemet dhe përleshjet kishin nisur vite më parë ndërmjet Sekiraqës e Rizës dhe grupeve të tyre. Derisa po festonin vitin e ri 2005, në Swiss Cazino në Prishtinë kishte pasur përleshje mes të tashmë të ndjerit Triumf Riza dhe Enver Sekiraqës. Sipas burimeve ai ishte i dënuar me dy vjet burg për veprën penale të kërcënimit dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë përmbushjes së detyrës. Pas vrasjes së policit Triumf Riza, disa nga kolegët e tij të njësisë speciale të policisë, më 24 shtator të vitit 2007, duke “keqpërdorur” edhe tërë logjistikën e policisë kanë sulmuar me eksploziv lokalin “Sekiraqa” në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Triumf Riza.

Nga shpërthimi i fuqishëm dy persona patën vdekur, disa të tjerë qenë lënduar dhe qenë shkaktuar dëme të shumta materiale. Për këtë rast disa policë ishin dënuar më 2009, por disa të tjerë ende shihen duke ecur të lirë. Pas fletërreshtimit apo kërkimit nga policia Enver Sekiraqa ishte vetëdorëzuar në EULEX më 28 shtator të këtij vitit 2012. Ai ka dhënë versionin e tij për një numër ngjarjesh që e ndërlidhin atë, duke thënë se ka qenë subjekt i disa atentateve shantazhi, pasi që merrej me tregti të kafesë, patundshmërisë dhe ndërtimit. Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, tha se hetimet për rastin e Enver Sekiraqës janë në vazhdim e sipër. Ai është i dyshuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë. Për shkak që ende janë duke u bërë hetime, në këtë fazë nuk mund të jepen informata të mëtutjeshme, shkruan sot gazeta “Bota sot”./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›