Sekretari i Berishës, në prokurori për fshirjen e serverit
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja, është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë deklarime në lidhje me hetimet që po zhvillohen për fshirjen e pamjeve të 21 janarit nga serveri i kamerave të këtij institucioni.
Siç raporton Panorama, zyrtari i Kryeministrisë është paraqitur në prokurori për të marrë kontakt me grupin e hetimit. Pas kësaj është vendosur që seanca e pyetjeve të zhvillohet në një kohë të dytë.
Nuk dihet ende pse është vendosur shtyrja e marrjes në pyetje të Lezhjes. Ky i fundit ka qenë personi që ka mbajtur kontaktin shkresor me Prokurorinë gjatë hetimeve për fshirjen e imazheve. Në lidhje me këtë çështje Prokuroria pranon se ka pasur deklarime kontradiktore. Kryeministri Sali Berisha ka nxjerrë një teori të re, që kamerat janë nën varësinë e Gardës, ndërkohë që kryeprokurorja Ina Rama thotë se nëse do ishte kështu, atëherë pse ka komunikuar Kryeministria me Prokurorinë për këtë çështje.