Sekretari i NATO-s Scheffer: Anëtarësimi i Shqipërisë nuk ishte dhuratë, por shpërblim për punën e palodhur dhe suksesin e reformave

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka konfirmuar vlerësimin ndërkombëtar për suksesin e reformave të kabinetit “Berisha”, por edhe ka mbështetur një bashkëpunim të frytshëm Shqipëri-NATO, tashmë në një partneritet që kontribuon për sigurinë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në mesditë, në ceremoninë e dhënies së titullit Doktor Honoris Causa, nga senati i Universitetit të Tiranës, Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut Jaap De Hoop Scheffer. Titulli iu dorëzua Sekretarit Scheffer nga rektori i UT-së Dhori Kule, me motivacionin “Për kontributin e veçantë në realizimin e aspiratës së popullit shqiptar, për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike që mbrojnë vlerat e demokracisë, sigurisë dhe paraqes në botë”. Në fjalën e tij me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Scheffer u shpreh: “Ju falënderoj shumë për fjalët tuaja, zoti rektor, faleminderit për këtë nder që po bëni. Kur unë studioja drejtësi në Universitetin e Leiden, në Holandë, shumë vite më parë më vjen keq ta them, nuk e mendoja kurrë se një ditë do të më jepej doktoratura dhe dua të them që marrja e këtij titulli honorifik nga Universiteti i Tiranës e bën këtë tepër të çmuar. Gjatë detyrës sime, si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, në 5 vite e gjysmë kam vizituar Shqipërinë dhe Tiranën disa herë dhe gjithmonë më ka mrekulluar entuziazmi, miqësia dhe mikpritja e popullit shqiptar. Sot është vizita ime e fundit zyrtare në Shqipëri dhe është për këtë arsye, e natyrshme që të reflektojmë për atë çka Shqipëria ka arritur dhe NATO gjithashtu, në 5 vite, kur unë kam pasur privilegjin të jem Sekretar i Përgjithshëm. Vetëm 5 vjet më parë, një nga vendimet e mia të parë zyrtare ishte t’i komunikoja 7 vendeve ftesën formale të pranimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Unë gjithmonë kam qenë një mbështetës i fuqishëm i zgjerimit të NATO-s dhe për këtë arsye, ishte një përgjegjësi mallëngjyese për mua dhe një mënyrë e shkëlqyer për të filluar mandatin tim si Sekretar i Përgjithshëm. Dhe prandaj është veçanërisht mallëngjyese për mua dhe një mundësi e lumtur, teksa i afrohem fundit të mandatit tim, të mirëpres anëtarë të rinj në familjen e NATO-s. Muajin e kaluar, në samitin e Strasburg-Kel, në Francë e Gjermani, Shqipëria dhe Kroacia morën më në fund vendin që u takon në një nga organizatat më të rëndësishme euroatlantike. Anëtarësimi i vendit tuaj, zoti Kryeministër dhe shkëlqesi ambasadorë, nuk ishte një dhuratë, nuk ishte diçka që jepet lehtë. Ishte një shpërblim për punën e palodhur të shumë viteve dhe suksesin e reformave të vështira dhe të shumanshme, të cilat u ndërmorën me vendosmëri të palëkundur. Vërtet, cilësi të ngjashme kërkohen për të arritur përsosmërinë akademike dhe ndërsa studentët përgatiten të shohin drejt të ardhmes së tyre, tashmë ata kanë mundësi të shohin përpara me besim dhe krenari, rezultatet e arritjeve domethënëse të vendit të tyre. Disa rrugë të reja hapen për punësimin e tyre si zyrtarë të NATO-s dhe kush e di, ndonjë ditë, ndonjë i diplomuar nga ky Universitet do të ketë privilegjin të jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë e prezencës së këtyre personaliteteve kaq të nderuara në këtë ceremoni dhe të kësaj audience të shquar, sa e rëndësishme që është që t’ju shpjegojmë gjeneratave të ardhshme, që tani janë studentë që ju u jepni mësim në këtë Universitet, të kuptojnë se vlerat e Aleancës së Atlantikut të Veriut nuk arrihen automatikisht. Mesazhi im zoti rektor është ky, ju jeni instrumenti më i mirë për t’u transmetuar këto vlera gjeneratave më të reja, gjeneratave të ardhshme, ata që, në të ardhmen, mund të jenë drejtuesit e Shqipërisë, ose në drejtimin e vendeve të tjera anëtare të Aleancës. Fakti që NATO në këto kohë ka në gjirin e saj kontributin shumë të respektuar të Shqipërisë, e cila po jep kontribut të çmuar për konfirmimin e këtyre vlerave në Afganistan, është diçka që asnjeri nuk e merrte me mend 5 vjet më par
l;, nëse unë do të kisha qenë këtu, duke marrë këtë titull honorifik. Së fundmi, ju falënderoj zoti rektor që më dhatë doktoraturën Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës, që është një çmim që unë do ta mbaj gjithmonë pranë vetës.
Karta e Adriatikut forcon bashkëpunimin midis kombeve të Ballkanit në fushën më të ndjeshme, atë të sigurisë
Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Komisionit të Partneritetit, të Kartës Adriatik 5, që u zhvillua në Tiranë, në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të Kartës së Adriatik A5. I pranishëm në këtë takim ishte Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Stuart Jones, Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Kroacisë, Ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Xhon Withers, e të tjerë personalitete. Punimet e këtij ministeriali u përshëndetën edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z.Jaap de Hoop Scheffer. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Është një nder i madh dhe kënaqësi për mua t’ju drejtohem juve sot, t’ju mirëpres në vendin tim dhe të përshëndes këtë takim shumë të rëndësishëm të Kartës Adriatikut 5. Kjo do të jetë për Shqipërinë një ngjarje shumë e rëndësishme, mbajtja e Samitit të Kartës së Adriatikut 5 sot, e cila, e themeluar disa vite më parë në këtë ndërtesë, është bërë një mjet shumë i rëndësishëm për vendin tim, për Kroacinë, Maqedoninë, për të dhënë shtysë drejt anëtarësimit në NATO. Ne jemi të gëzuar që sot kryesojmë Komisionin e Partneritetit si një anëtar i NATO-s dhe jemi të bindur se Shqipëria dhe Kroacia do të mbështesin plotësisht përpjekjet tuaja për t’u bërë anëtarë të NATO-s. Unë e kam vlerësuar shumë Kartën e Adriatikut, në fillim 3 vende dhe tani 5 vende dhe të shpresojmë së shpejti 7 vende, të gjitha vendet e rajonit. Sepse së pari, kjo forcon bashkëpunimin midis kombeve tona në fushën më të ndjeshme, atë të sigurisë. Krijon gjithashtu një raport shumë të mirë për vendet tona, për të vepruar me vendosmëri. Imagjinoni, para disa vitesh Shqipëria u vendos, krahas Kroacisë dhe ndryshimet midis vendeve ishin të qarta. Por, prezenca e Kroacisë përbënte një motivim shumë të madh për Shqipërinë për nxitjen e reformave. Përballja me Kroacinë nuk ishte shkurajuese, por ishte shumë inkurajuese për Shqipërinë, për të vazhduar me reformat. Karta e Adriatikut 3 ka pasur mbështetjen dhe vëmendjen e plotë të liderëve të NATO-s dhe SHBA. Kjo ka një rëndësi themeltare për progresin tonë dhe bashkëpunimin midis vendeve anëtarë të kësaj karte, si një plan i shkëlqyer veprimi në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Jaap de Hoof Scheffer
Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Jaap de Hoof Scheffer. Në përshëndetjen e Tij, Kryeministri Berisha shprehu sërish mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën që Z. Schefer dhe të gjitha vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e gjatë drejt integrimit në NATO. Kryeministri Berisha nënvizoi faktin se në fillimet e proceseve demokratike në vend, dy aspiratat e të rinjve shqiptarë ishin “Shqipëria në NATO” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Sot një nga këta projekte ëndërr për shqiptarët u bë realitet. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Z. Jaap de Hoof Scheffer falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe u shpreh se ai përfaqësonte në gjirin e Aleancës një vend të vogël si Holanda dhe kështu e kishte ndjerë dhe kuptuar thellë një vend të vogël si Shqipëria në rrugën e saj të integrimit në NATO. Më tej, në përshëndetjen e Tij, Z. Schefer theksoi rolin e rëndësishëm të Forcave Tona të Armatosura në operacionet e NATO-s, duke shprehur në përfundim se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të mbetet një nga momentet më të rëndësishme në karrierën e Tij si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Shkrim tjetër në lidhje me këtë temë:
Presidenti Topi nderoi sot zotin Scheffer me me titullin “Gjergj Kastrioti”