E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretet e dasmës së Çelsi Klinton

Një fundjavë prilli, shefja e marketingut të një restoranti shumë të famshëm dhe shik në Nju Jork mori një telefonatë nga një person, i cili kërkonte të prenotonte një darkë shumë diskrete për disa persona, identiteti i të cilëve do të mësohej vetëm në momentin kur ata do të vinin.

Më pas, gjatë darkës u mësua se bëhej fjalë për një mysafire shumë të veçantë, vajzën 30-vjeçare e ish-presidentit amerikan Klinton dhe sekretares aktuale të Shtetit, çelsi Klinton. Ajo kishte prenotuar një tryezë me disa shoqe të saj, me të cilat kaloi një darkë të veçantë nën shoqërinë e koktejeve dhe antipastave shumë të shtrenjta.

Kjo është vetëm një nga takimet “misterioze” të vajzës së ndrojtur, e cila është në qendër të ngjarjes më të fshehtë sociale amerikane të kësaj vere: martesës me 32-vjeçarin Marc Mezvinsky, bankier. Me të ajo ka një histori shumë të gjatë dashurie, që këtë verë do të kurorëzohet me martesë. Prindërit e dhëndrit janë të dy ish-anëtarë demokratë të Kongresit, por babai i djalit ka kaluar disa vjet në burg për mashtrim. Martesa e caktuar për datën 31 korrik është një nga eventet e këtij lloji “më të fshehta” të viteve të fundit, veçanërisht në Uashington, qytet ku mamaja e nuses mban postin më të lartë në shtet pas atij të Presidentit të Republikës. Detajet për këtë martesë janë mjaft të pakta, por edhe ato nga burime të pakonfirmuara, madje shumë më sekrete se të themi strategjia e re e amerikanëve në Afganistan. Ndër të paktat gjëra që dihen është se edhe vetë të ftuarit nuk e dinë saktësisht axhendën e ceremonisë, madje edhe vendin e orën kur ajo do të organizohet. Ftesat që u janë dërguar atyre shoqërohen nga instruksione, në të cilat u thuhet se vendi është diku pranë Manhatanit dhe se në të mund të shkohet vetëm me makinë e jo me mjete të tjera transporti. Ndër të tjera jepet edhe lajmi se specifikimet e mëtejshme për vendin do të jepen vetëm një javë para ceremonisë. Por sigurisht që njerëzit në mungesë të informacionit kanë vënë në punë fantazinë e tyre. Kështu të shumtë janë ata që mendojnë se ka mundësi që dasma të bëhet në një vilë mjaft të veçantë të quajtur Astor Court, e ndërtuar diku nga fillimi i shekullit të kaluar për Jacob Astor, duke pasur parasysh stilin e veçantë të Versajës në Francë. Një thashethem i tillë ka dalë edhe në media, por Klintonët kanë refuzuar që ta konfirmojnë një gjë të tillë përmes një heshtjeje të vazhdueshme.

Për sa u përket amerikanëve, ata kanë qenë dhe vazhdojnë që të jenë të dhënë pas fëmijëve të presidentëve dhe ish-presidentëve të tyre e ndoshta më shumë akoma janë të dhënë pas një ish-vogëlusheje që shkoi për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë për të jetuar 8 vjet, një vogëlusheje kuqe, fort e ndrojtur, që nuk parapëlqente vendet dhe daljet në publik, për vajzën tashmë të rritur, që së shpejti do të martohet. Ajo ishte vajza që në njëfarë mënyre u rrit para syve të amerikanëve, edhe pse shumë rrallë dilte me prindërit në vendet publike. Në këtë mënyrë u shndërrua edhe në një person mjaft të rezervuar, për të cilin kurioziteti ishte shumë më i madh se për vetë jetën private të prindërve të saj. Megjithatë ajo e “theu heshtjen” dy vjet më parë, kur mori vendimin që më në fund të dilte në skenë për të mbështetur të ëmën në përpjekjen e saj për t’u bërë presidente e SHBA-së. Në atë periudhë ajo foli në shumë mitingje elektorale, duke mbështetur të ëmën dhe atë që ajo përfaqësonte dhe mund të thuhet se në disa syresh pati më shumë sukses dhe gëzoi një popullaritet më shumë se vetë Hilari. Sot, ndërsa po përgatitet që të vërë kurorë, adoleshentja e dikurshme e ndrojtur dhe kuqe është një zonjushë e vërtetë, bionde, shumë e sofistikuar, me një shkollim fort të mirë dhe me një përvojë pune në vendet që do të ishin ëndërr për çdo të ri amerikan që mbaron shkollën e lartë. Ajo ka punuar në një fond privat investimesh dhe ka shprehur vazhdimisht një interes të madh për politikën e jashtme dhe në janar do të fillojë edhe një master në Universitetin e Kolumbias. Megjithatë, sipas një miku të familjes Klinton, çelsi në vetvete vazhdon që të mbetet një vajzë e ndrojtur, e tërhequr dhe shumë private, që e urren idenë e publicitetit apo atë të të qenët në vëmendje të vazhdueshme të kamerave dhe aparateve fotografikë. Ajo nuk do që të përsëritet edhe ndaj saj vëmendja që një herë e një kohë iu rezervua prindërve të saj dhe që çelsit nuk i pëlqente fare. çelsi do që të jetë e qetë dhe e patrazuar në ditën e saj të madhe, me njerëzit që do dhe pa asnjë lloj publiciteti. Djaloshi me të cilin ajo po martohet është personi tek i cili ajo gjeti një partner, që ka një histori jete të ngjashme me të sajën. Të dy të rinjtë janë takuar për herë të parë kur ishin adoleshentë në hotelin “Hilton” gjatë një fundjave pushimesh, ku kishin shkuar me prindërit. Të dy kanë ndjekur Universitetin e Standfordit, edhe pse romanca mes tyre lulëzoi dalëngadalë dhe vetëm vitet e fundit. Të dy e dinë fare mirë gjithë të mirën dhe të keqen që sjell me vete pozita e të qenët një person publik e mbi të gjitha fëmijë politikani. Të dy kanë njohur periudhat e lavdishme dhe skandalet e prindërve të tyre. Dallimi mes tyre është vetëm një, që çelsi është vajzë e vetme, ndërsa i dashuri i saj është një nga 11 fëmijët e prindërve të tij, disa prej të cilëve edhe të adoptuar. E ëma e dhëndrit, ish-përfaqësuese e Pensilvanisë në Kongres, ka qenë në fillimet e saj një gazetare televizive dhe vendosi që të merrej me politikë në vitin 1992, kur në krye ishte Presidenti Klinton. Ajo e humbi vendin 2 vjet më pas. Sot është pedagoge në Universitetin e Pensilvanisë dhe lënda e saj është marrëdhënia e politikës me median. është e divorcuar nga babai i dhëndrit, ish-kongresmeni republikan Ed Mezvinsky i Iovas, i cili në vitin 2008 doli nga burgu pasi kishte kryer një dënim prej 5 vitesh për akuzat e mashtrimeve financiare. çelsi, ndryshe nga të gjithë fëmijët e tjerë të ish-presidentëve që janë martuar, nuk ka bërë asnjë lloj kontrate me median për transmetimin apo pasqyrimin e dasmës së saj. Sa për Klintonët, ata, edhe pse mes njëri-tjetrit kanë pasur momente ftohjeje, kanë qenë gjithmonë pranë vajzës së tyre të vetme. Madje njëherë në një intervistë Klinton tha se shpesh i duhej që të hiqte dorë nga detyrimet e tij politike për të qenë pranë të bijës kur ajo kishte provime të rëndësishme. Së fundi, vetë Hilari ka deklaruar se pavarësisht impenjimeve të shumta që ka në këtë periudhë në detyrën e saj, pjesën tjetër të kohës ia ka dedikuar tërësisht eventit të rëndësishëm të së bijës dhe është shumë e dhënë edhe pas detajeve të dasmës, duke filluar me lulet, fustanin dhe madje edhe tortën dhe hollësi të tjetra që i përkasin një ceremonie martesore. Madje Hilari ka thënë se e bija i ka kërkuar që të jetë në një formë më të mirë fizike, ndaj ajo ka kohë që po përpiqet të bjerë në peshë për të qenë sa më mirë në momentin më të rëndësishëm të jetës së çelsit. Gjatë një interviste të fundit, ajo deklaroi se e kishte të vështirë që të gjente veshjen e përshtatshme për ceremoninë, edhe pse gjatë jetës së saj kishte pasur shumë raste të rëndësishme për të vendosur në lidhje me veshjet. “Ky është rasti që me të vërtetë do të doja që të shkëlqeja përkrah bijës sime, nuses më të bukur në botë”, deklaroi ajo. “Për momentin martesa e çelsit është ngjarja më e rëndësishme e jetës”.

Për sa i përket ceremonisë, pritet që në të, të marrin pjesë rreth 400 të ftuar, të gjithë shumë të veçantë, edhe pse mes tyre nuk janë Obamat. Ky është një numër shumë i madh për një dasmë të zakonshme, por jo vogël për një familje si ajo e Klintonëve, që për shkak të pozitës së tyre kanë shumë miq në vendin e tyre dhe në të gjithë botën. Mes të ftuarve ka mbretër, yje kinemaje, njerëz të fuqishëm të botës së financave dhe biznesit. Megjithatë ka një kriter shumë të veçantë në përcaktimin e të ftuarve dhe ai është se të gjithë të ftuarit pa përjashtim duhet që të kenë lidhje personale ose me nusen, ose me dhëndrin. Megjithatë kjo parashikohet që të jetë një ceremoni mjaft diskrete, që nuk do të reklamohet as në ditët në vijim, gjithmonë nëse ish-vajza e vogël e Shtëpisë së Bardhë nuk do të ndryshojë mendje duke dalë nga gjendja e ndrojtjes.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›