E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të luftosh për dashurinë e pamundur

Homoseksualiteti është krim në 38 shtete afrikane. Lëvizjet për të drejtat e homoseksualëve kërkojnë mbështetjen ndërkombëtare për të luftuar kundër homofobisë dhe për të bërë presion te qeveritë. Por ka nga ata që i akuzojnë se janë bashkëpunëtorë të interesave koloniale të Perëndimit

“Këta djem kanë kryer një krim kundër kulturës, fesë dhe ligjeve tona”, tha Presidenti i Malavit, Bingu Wa Mathurika më 29 maj, teksa u dorëzonte “nderimet” Steven Monjeza dhe Tiwonge Chimbalanga. Të dy ishin dënuar me 14 vjet punë të rëndë, sepse kishin celebruar martesën e parë gej në historinë e vendit. Pas një bisede të gjatë me sekretarin e Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, Mutharika deklaroi se kishte vendosur ta falte çiftin “për arsye humanitare”. Nëse do të kishte qenë më i sinqertë, do të pranonte se pas vendimit të tij ishin arsyet diplomatike dhe të leverdisë: Malavi varet pothuajse tërësisht nga ndihmat humanitare dhe presioni i donatorëve po bëhej gjithnjë e më i fortë.

Pas lirimit Monjeza dhe Chimbalanga u ndanë. Më pas Chimbalanga u fejua me një vajzë. Që në momentin që u kthyen në komunitetet e tyre u është dashur të mbajnë mbi supe peshën e dënimit shoqëror. Ndërsa shteti vendoi të mos merret më me ta, familjet vendosën t’i dënojnë.
Kontinenti afrikan duket se është pushtuar nga një valë homofobie. çështja e Malavit na kujton atë që ndodhi vitin e kaluar në Ugandë, ku Presidentit Yoweri Museveni iu desh të ndërhynte në paketën e ligjeve për të hequr dënimin me vdekje kundër homoseksualitetit. Një gjë e ngjashme ndodhi edhe në Ruandë: aktivistët për të drejtat e homoseksualëve mësuan për propozimin e një ligji, i cili e bënte homoseksualitetin një krim dhe organizuan nëpërmjet internetit një fushatë sensibilizuese globale, e cila e detyroi qeverinë e Paul Kagame të pohonte se nuk kishte asnjë qëllim të ndërhynte në jetën private të qytetarëve të saj. Fushatat e këtij lloji organizohen në traditën më të mirë të solidaritetit ndërkombëtar: janë kësisoj iniciativash, të cilat kanë ndihmuar në luftimin e regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut. Por sot në Afrikë fushatat ndërkombëtare të solidaritetit nuk shihen me sy të mirë, pikërisht për shkak të politikave të ndihmave humanitare. Museveni dhe Kagame janë akuzuar se janë kukulla në duart e vendeve donatore. Në Ruanda, një prift me shumë ndikim në kishat evangjeliste, ka deklaruar se “komuniteti i donatorëve ka përdhunuar shtetin”.

Të ëndërrosh për Will & Grace

Joseph Massad, profesor i historisë moderne arabe në Universitetin “Kolombia” të Nju Jorkut, në librin e tij “Të dëshirosh arabët” akuzon aktivistët homoseksualë për krijimin e një “internacionaleje gej” neokoloniale. Sipas akademikut jordano-palestinez, lëvizjet homoseksuale po provokojnë një konflikt të rëndë kulturor në botën arabe, duke i imponuar shoqërisë një vizion “perëndimor” të identitetit homoseksual që nuk kuptohet tërësisht. Masad shkruan se provokime të tilla përfundojnë në përkeqësim, në vend të përmirësimit të situatës së njerëzve, të cilët përpiqen të ndihmojnë vendin, për shkak të reagimeve të dhunshme që shkaktojnë. A janë të vlefshme argumentet e Massad dhe në Afrikën Subsahariane? Nuk e di nëse homoseksualët e Malavit dhe Ugandës do të jetonin më mirë nëse nuk do të ishte aktivizuar “internacionalja gej”, e rimishëruar ndoshta më së miri nga aktivisti britanik Peter Tatchell, i cili në vitet ’90 bëri një fushatë të madhe kundër Robert Mugabe, duke denoncuar dhunën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Zimbabve.
Homoseksualiteti është ilegal në 38 nga 53 vende të Afrikës. Në numrin më të madh të rasteve është një trashëgimi e Kodit Penal kolonial britanik, i cili i pari kriminalizoi këtë praktikë në Afrikë. Homoseksualiteti nuk është një importim perëndimor, ndërkohë që ligjet për homofobinë dhe identitetin gej janë. Për të rinjtë që jetojnë në qytet, seksualiteti nuk është vetëm një çështje praktikimi dhe dëshirash për t’u kënaqur në fshehtësi (unë shkoj në shtrat me njerëz të të njëjtit seks si unë), por është bërë një çështje identiteti (unë jam gej), që ngrihet haptazi për të kërkuar të drejtat e barazinë kundër normave tradicionale sociale.
Shpesh këto procese kanë shkaktuar kriza sociale. Përpara rastit të Malavit, në Kenia pati dhunime në masë kundër homoseksualëve dhe punonjësve që punonin me të sëmurët me AIDS. Në Senegal, pas arrestimit të nëntë homoseksualëve të dënuar me tetë vjet burg, në janar 2009 filloi një fushatë kundër gejve. Dhe homoseksualët senegalezë të arratisur në Gambia në muajt pasardhës u përzunë nga Presidenti Yahya Jammeh me kërcënimin e vrasjes. Në Zimbabve, ku shteti është brutalisht homofob, për më shumë se një dhjetëvjeçar, dy aktivistë gej u arrestuan, sepse kritikuan politikat diskriminuese të Mugabe.
Në shumë shtete afrikane po përgatiten ligje të reja kundër homoseksualitetit. Natyrisht që Afrika nuk është homogjene. Vështirësitë me të cilat hasin homoseksualët afrikanë janë të njëjta me ato të Perëndimit dhe vendeve të tjera të botës. Megjithatë nuk mund të mohohet që ka diçka të veçantë në valën e re të përçmimit për homoseksualitetin që “ka veshur” kontinentin. Homofobia e re afrikane i përgjigjet një dinamike të veçantë dhe shumë të ndërlikuar: rrjedh nga fondamentalizmi i krishterë i sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, nga politikat e ndihmave humanitare dhe epidemia e Sidës, që vazhdon të infektojë çdo ditë banorët e kontinentit. Edhe revolucioni dixhital luan rolin e tij me kanalet satelitore. Gazetat lokale denoncojnë ceremonitë e martesave gej, të cilat celebrohen simbolikisht nga të rinjtë afrikanë, që duke parë televizor, kanë zbuluar që në disa vende të botës veprohet kështu.
Në fakt, në rastin e çiftit Malavi, duket se nuk ka pasur ndërhyrje nga jashtë: dy djemtë kanë vendosur të organizojnë një ceremoni të thjeshtë fejese, thjesht për të plotësuar dëshirat e tyre. Veç të tjerash, Chimbalanga thoshte gjithmonë se ndihej grua dhe duke qenë se për shoqërinë afrikane kjo është e papranueshme, fejesa e tij me Munjeza-n është konsideruar nga shumë afrikanë një fenomen jo kushedi se çfarë i çuditshëm, kjo për shkak të informacioneve të globalizuara. Arrestimi i dy djemve është nxitur nga artikujt skandalozë të gazetave lokale. “Nation”, gazeta e parë që ka përhapur lajmin, e ka cilësuar ceremoninë e Munjeza-s dhe Chimbalanga-s “si ceremoninë e parë publike e homoseksualëve në historinë e vendit”. Në Malavi ligjet kundër homoseksualëve nuk ishin aplikuar kurrë, sepse s’ishte e nevojshme. Praktikimi i homoseksualitetit parashikon një dënim deri në 14 vjet heqje lirie dhe policia në këtë rast ishte e detyruar të vepronte.
Në Kenia dhuna filloi pak a shumë në këtë mënyrë: një çift homoseksualësh nga Kenia u martuan ligjërisht në Londër dhe një e përditshme keniane foli shumë për këtë ngjarje, duke nxitur debate të mëdha në vend. Pastaj radiot lokale të Mombasas filluan të qarkullonin një lajm se në vend ishte celebruar një martesë homoseksualësh dhe kjo gjë nxiti sulme brutale, si edhe arrestimin e gjashtë të dyshuarve homoseksualë, në fillim të vitit 2010.

Të gjithë jemi të diskriminuar

Dënimi i homoseksualitetit nuk vjen vetëm nga islami, që dominon në Afrikën Lindore dhe Perëndimore. Besimtarët e krishterë e kundërshtojnë homofobinë sikur të ishte një armë e rrezikshme. Të krishterët konservatorë amerikanë kanë gjetur në Afrikë terrenin e nevojshëm për të vendosur ligjet e kishës së tyre në vend. Për shembull, kisha anglikane nigeriane është bërë një fortesë kundër priftërinjve homoseksualë dhe kundër njohjes së martesave të gejve. Në Ugandë, ku shoqatat për të drejtat e njeriut financojnë zhvillim e organizatave gej, grupet e krishtera konservatore të Shteteve të Bashkuara shtyjnë politikanët vendas të adaptojnë ligje kufizuese kundër homoseksualëve.

Konteksti i këtyre “betejave kulturore” është njësoj si epidemia e Sidës. Kishat evangjeliste konservatore amerikane kanë shkelur tashmë në shumë shtete afrikane falë planit të ndihmave kundër Sidës të kërkuar nga George W. Bush në vitin 2003. “Emergency plan for aids relief” është përpjekur të frenojë përhapjen e virusit HIV përmes një politike parandaluese të bazuar te feja, që predikonte maturinë në vend të përdorimit të prezervativit. Ndërhyrja e kishave amerikane u lejoi kishave konservatore amerikane të ngulnin rrënjët në Afrikë. Ndërkohë shumë OJQ perëndimore dhe progresiste, por në veçanti ato europiane, i kanë mbështetur me forcë të drejtat e homoseksualëve. Kjo jo vetëm për arsye drejtësie, por edhe sepse është vënë re se një nga transmetuesit e HIV-it në shoqëritë afrikane janë “meshkujt që shkojnë në shtrat me meshkuj të tjerë” (men who sleep with men), meshkuj që nuk e quajnë veten gej, por e praktikojnë “seksin homoseksual”. Programet shtetërore si “Kenyan medical research institute” (KEMRI) kanë filluar ta përqendrojnë vëmendjen e tyre te “msn”. Nuk është një rastësi që viktimat e dhunës në Kenia të jenë punëtorë të KEMRI-it, të cilët u jepnin ndihma pacientëve homoseksualë. Veç të tjerash epidemia e Sidës ka rritur varësinë e shumë shteteve afrikane ndaj Perëndimit. Në këtë situatë ka lindur një frymë e re për të luftuar “neokolonializmin” e ndihmave për zhvillim: në bestsellerin “Bamirësia që vret”, për shembull, ekonomistja zambiane Dambisa Moyo thotë se varësia te ndihmat perëndimore po e vret shoqërinë afrikane dhe se brenda pesë vjetësh i duhet dhënë fund kësaj gjëje. Edhe pse dhënia e ndihmave është e nevojshme, në këtë moment ndërprerja e tyre në Afrikë do të sillte një katastrofë të vërtetë, sidomos në rastin e epidemisë së Sidës. Kështu, ndërkohë që shumë afrikanë vazhdojnë ta vuajnë faktin e mospranimit të tyre nga Perëndimi, vazhdojnë të kërkojnë një vend ku të përqendrojnë krenarinë e tyre. Jeta e tyre varet vetëm te një fije shprese, që në këtë rast është morali. Janë të varfër, por kanë vlera.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›