Sekretet e parrëfyera të Jean Dujardin

Kur mbërriti në aeroportin “Sharl de Gol” rreth një muaj më parë, e gjithë Franca kishte dalë për ta pritur. Po flasim për Jean Dujardin, divin e kinemasë pa zë, protagonist i “The Artist” të Michel Hazanavicius, fituesi i pesë statujave të arta, mes të cilave edhe ajo për aktorin më të mirë protagonist. Dujardin e ngriti statujën e artë drejt qiellit, ashtu siç bëri dikur Zinedine Zidane, kapiteni i Kombëtares franceze kur fitoi “Kupën e Botës” në vitin 1998. Gjithçka të kujton epokën e artë të Alain Delon, Jean Paul Belmondo e Gérard Depardieu të cilët asnjëherë më parë nuk e kishin fituar këtë çmim. Dujardin është aktori i parë francez i vlerësuar nga Akademia, që rrallëherë ia jep këtë nder ndonjë aktori që nuk flet anglisht. I fundit ka qenë Roberto Benigni, në vitin 1999.
Kur dëgjuat emrin si fituesi i “Oskarit”, ju shpëtoi pa dashje fjala “putain”...
E vërtetë, por më pas shtova edhe “e jashtëzakonshme, faleminderit, ju dua shumë”. Ndoshta u tregova pak vulgar, por me siguri kjo shprehje është efikase, sepse, edhe pse kisha fituar “Palmën e Artë” në Kanë, “Golden Globe” dhe “Bafta”, kësaj here nuk isha i sigurt se do fitoja. Pas festës këndova himnin tim kombëtar dhe fitoren jua dedikova gjithë francezëve.
Ju dukeni kaq i qetë dhe i sigurt në vetvete, jo vetëm në rolin e Valentin por edhe në jetën e përditshme. Madje ngjani më shumë si britanik se sa francez...
Unë jam francez 100 për qind. Është e vërtetë që nuk vuaj nga ankthi aq më tepër kur ngjitem në skenë: kur aktroj, jam i lumtur, më bën të ndihem mirë dhe më çlodh. Të jesh dikush tjetër, për një pjesë të mirë të ditës, të ndihmon të jesh në paqe dhe të shkosh mirë me të tjerët.
Pra aktrimi ju ndihmon për të gjetur paqen e brendshme?
Po, por dua t’ju them se shpesh jam shumë kritik me veten dhe i ashpër për të gjykuar interpretimet e mia. Dua të jap maksimumin dhe kjo më lodh dhe streson shpesh.
Me filmin “The Artist” ju arritët një rezultat të madh. A ishte e vështirë të interpretonit në një film pa zë, duke qenë se ju në jetën reale flisni shumë?
Në të vërtetë ka shumë ndryshime mes këtij filmi dhe atyre me zë. Por pjesa më e vështirë ishte një tjetër: e kam fjalën për kërcimin. U stërvita shumë për ta bërë. U futa në një kurs vallëzimi për pesë muaj me radhë. Fëmijët e mi argëtoheshin shumë teksa më shihnin që kërceja i veshur me këpucë me pak taka.
Përse visheni gjithmonë me të zeza?
Ndoshta sepse nuk jam shumë i dobët. Pastaj mendoj se më shkon shumë. Pastaj me një kostum të errët nuk gabon asnjëherë. Sigurisht që nuk e bëj për t’u dukur më i vrazhdë.
E dini që ju quajnë George Clooney francez...
Në fakt, jam shumë krenar, George është një burrë tërheqës, inteligjent. Edhe unë shpresoj që t’i pëlqej atij, pavarësisht se nuk fitoi dot “Oskarin” me filmin e tij “Descendant”. Akoma nuk më ka thënë se çfarë mendon për filmin “The Artist”.
Me çfarë merreni në kohën e lirë?
Me kopshtari. Kam një shtëpi në Jug të Francës me një kopsht, kur sapo mundem, kultivoj karota, fasule dhe sallatë. Për mua nuk ka kënaqësi më të madhe se sa kur me krahët e përveshura nën diellin e ngrohtë, mbledh perimet për të cilat jam kujdesur vetë. Sigurisht që çdo ditë më duhet të lodhem paksa për të larguar barërat e këqija që mbijnë nëpër to. Për më tepër i qëndroj besnik mbiemrit tim, Dujardin, që do të thotë “nga kopshti”.
Tani po mendoni të ndërtoni një kopsht tjetër në Los Anxhelos. Mendoni të transferoheni në Hollywood?
Nuk kam ndërmend të vendosem përfundimisht në SHBA. Mendoj se nuk do të ndihesha mirë. Parisin e kam të vështirë ta lë. Jam tipik francez dhe shumë i lidhur me zakonet e vendit tim. Pastaj fëmijët e mi janë shumë mirë këtu dhe nuk kam ndërmend të zhvendos familjen për ambiciet personale.
Për momentin jeni aktori më i paguar në Francë. Të gjithë tani kërkojnë të shohin çdo film ku ju interpretoni. Nuk keni frikë se jeta juaj do të marrë tjetër drejtim nga e gjithë kjo vëmendje?
Jam me këmbë në tokë. Nuk e harroj kurrë se nga kam ardhur dhe punët që kam bërë. Nuk e harroj që punoja në sipërmarrjen e vogël të familjes që merrej me ndërtime. Sigurisht që jam shumë i lumtur me atë që po më ndodh. “The Artist”, një film pa zë në bardhezi, ka fituar 53 çmime në botë. Është një moment shumë i lumtur për mua. E çfarë mund të kërkoj më shumë?
Gruaja juaj, aktorja Alexandra Lamy, duhet të jetë shumë xheloze. Në filmin tuaj të ri “Les infidèles”, ju flisni se si mund t’i tradhtosh gratë?
E si mund të mos i jap të drejtë? Për t’i dhënë siguri, e mora përkrah vetes në një episod të filmit.