E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Shumohen’ tifozët e Cityt

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand thotë se ngritja e rivalit Manchester City në sezonet e fundit ka bërë që në qytet të shihen më shumë tifozë me fanella të kaltra. Por, ai është optimist se përkrahësit e Cityt nuk do të kenë çka të festojnë në përfundim të këtij edicioni.

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand ka ngacmuar tifozët e Manchester Cityt, duke sugjeruar se ata janë bërë më të vërejtur tani kur klubi ka filluar të shijojë sukses.

City fitoi në FA Cup sezonin e kaluar dhe aktualisht është në garë me Manchester Unitedin për titullin e kampionit në Premierligë. “Duke ecur në qytet shihni më tepër fanella të kaltra se që keni parë në 10 vitet e fundit”, tha Ferdinand gjatë një interviste për BBC Sport.

“Suksesi nganjëherë i nxjerr njerëzit nga koha e shkuar. Ne synojmë të anulojmë këtë dhe të përkujdesemi në mbrojtjen e titullit në Premierligë”, shtoi ai.

Më herët gjatë sezonit, City kishte pesë pikë epërsi ndaj Unitedit në krye të tabelës, por tani gjendet prapa skuadrës së Sir Alex Fergusonit, pas një rënieje në formë që Djajtë e Kuq e përcollën duke fituar tetë prej nëntë ndeshjeve të fundit.

I pyetur nëse kampioni i ri në Premierligë do të përcaktohet në ndeshjen mes Cityt dhe Unitedit në Etihad Stadium më 30 prill, Ferdinand u përgjigj: “Kush e di? Duhet të presim dhe të shohim. Në një botë ideale do të duhej të jemi rehat para se të shkojmë atje. Por, nuk pres që të jetë e përfunduar para se të vizitojmë stadiumin e tyre. Tani çdo ndeshje është sikur finale e kupës. Çdo rezultat do të jetë i rëndësishëm në garë për titull. Nëse fitojmë ndeshjet e mbetura, do të fitojmë ligën. Por, nuk është e lehtë për t’u realizuar sa është për t’u thënë”.

Manchester United ka fituar titullin 12 herë prej kur City triumfoi për herë të fundit në ligë më 1968, por Ferdinand nuk beson se kjo i dhuron përparësi skuadrës së tij në përgatitje, edhe pse konkurrenti më i afërt është rivali i tyre i qytetit.

“Në Manchester United përparësia vjen nga brenda. Ne e udhëheqim njëri-tjetrin si individë, si kolektiv. Pa marrë parasysh se kush është rivali me të cilin jemi në garë për titull, nuk ka rëndësi”, përfundoi Ferdinand.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›