E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekreti i Jackie‘O

Edhe pse kanë kaluar tetëdhjetë vjet nga lindja, ish-zonja e Parë e Amerikës, Jacqueline Kennedy Onassis, vazhdon të jetë pjesë e modës, të ndikojë në gustot e femrave dhe veshjet që ato zgjedhin. Por cila është ajo gjë që e bëri të pavdekshme? Sekreti i saj nuk ishte stili, por aftësia për të joshur këdo që dëshironte. Si? Zbulojeni më poshtë...

Nëse do të ishte gjallë më 28 korrik të 2009-ës, Jacqueline Kennedy do të mbushte 80 vjeçe, por meqenëse ka 15 vjet që ka vdekur, do të sjellim edhe një herë jetën e saj përmes fotografive më domethënëse. Jackie e dinte se si jetohej dhe kishte shumë gusto në të veshur. Për të mjaftonte vetëm emri. Nuk ka rëndësi nëse mbiemri është Lee, Bouvier, Kennedy ose Onassis... Ato ndërrohen si rrobat, madje këto të fundit mbeten, ndërsa burrat ashtu si vitet kalojnë. Atë ditë në Dallas, kur John humbi jetën dhe bota çiltërsinë (jo vetëm Amerika), Jackie kishte veshur një kostum rozë dhe në kokë mbante një kapele të kuqe, e cila kombinohej me veshjen. E tillë mbeti edhe në kujtesën e njerëzve. Jacqueline i joshi të gjithë, meshkuj e femra, duke u bërë ikonë, simbol i modës dhe i bukurisë. Kjo është Jackie, që së bashku me Marylin, Topolino-n, Che Guevara-n dhe disa të tjerë (së fundmi Michael Jackson) është lartësuar mbi faktet e jetës dhe vdekjes së shekullit XX, për t‘u bërë pjesë e atij zakoni të çuditshëm që të gjithë e thërrasin me emrin "gusto".

Gustoja e ish-zonjës së Parë të Amerikës fillonte nga flokët. Të gjithë ekspertët e modës e dinë se stili i një zonje fillon që te krehja e flokëve. Nëse nuk është e duhura, atëherë nuk do të ketë kurrë një veshje që t‘i shkojë përshtat. Jackie kishte përmasa perfekte: shpatulla të gjera, belin e ngushtë dhe vithe të rrumbullakosura. Flokët i mbante të fryra përpara, të lëpira anash dhe me onde të mëdha në fund. Ndërsa veshjet ishin nga më të ndryshmet: gjatë darkave zyrtare i pëlqente të vishej me të zeza. Gjatë ditës mbante pantallona të gjera si të peshkatarëve, të kombinuara me një shami në kokë si "shtëpiake e dëshpëruar". Me pak fjalë, ndërthurte jetën e një provincialeje me atë të Zonjës së Parë. Zakonisht mbante sandale të sheshta, si ato të punëtorëve të Lindjes. Me pak fjalë ishte "gjahu" i preferuar i paparacëve dhe ikona e revistave më të famshme të modës.

Gjatë viteve ‘70, kur u martua për interes me John Kennedy-n, Jackie filloi të vishte këmisha të gjata me ngjyra, kostume nga më të ndryshmet, pallto të gjata e treçerekëshe. Si gjithmonë stilin e saj filluan ta kopjonin të gjitha femrat e botës.

"Përveç modës, Jackie ishte mjeshtre e një arti. E dinte si joshej dhe bëhej për vete një mashkull. Sekreti i saj? Nëse dilte për darkë, nuk ia ndante kurrë sytë personit që kishte përballë. Bota mund të shembej, kamerierët mund t‘i derdhnin verën mbi fustan, por ajo vazhdonte të ishte e fokusuar te personi që kishte përballë. Ishte e jashtëzakonshme, nuk tundohej!", tregon Anna Riva, gazetarja historike e modës, që sot është këshilltarja e revistës "Vogue" gjermane. "Jacqueline Kennedy i dha popullit amerikan diçka që i kishte munguar gjithmonë: madhështinë".

Gjithsesi, ende sot femrat me klas frymëzohen prej saj, sepse ishte joshëse, pa të meta, elegante, perfekte, një muzë e vërtetë dhe "mbretëresha" e shekullit XX. Në fakt ishte Jackie ajo që e krijonte modën, jo stilistët, të cilët thjesht kënaqnin kërkesat e saj, duke filluar nga "Givenchy", te "Chanel", "Balenciaga", "Oleg Cassini" dhe "Valentino". E lindur më 28 korrik të vitit 1929 në Southampton, Jacqueline Lee Bouvier ishte gruaja që jetoi "tri jetë": e para përfundoi në Dallas, në vitin 1963, me vrasjen e John F.Kennedy-t, Presidentit të 35 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilin ishte martuar më 12 shtator të 1953-shit, duke u bërë kështu Zonja e Parë më e re në histori; e dyta në 1975-ën, kur vdiq bashkëshorti i saj i dytë, Aristotele Onassis, pronari i anijeve më i pasur i botës; ndërsa e treta mori fund në 1994-ën, kur një tumor i mori jetën në moshën 65-vjeçare. Jackie jetoi për shumë vjet e rrethuar nga njerëzit e pushtetshëm, por asnjëherë nuk e la veten të përfshihej nga skandalet, madje edhe atëherë kur ajo e kuptoi se i shoqi, njeriu që kishte dashur më shumë në jetë, e tradhtonte me seks-simbolin e viteve ‘50, Marilyn Monroe.

Sot femrat që janë të fiksuara pas standardeve qesharake të bukurisë, bëjnë çmos t‘i ngjajnë Jackie-t. Është mëkat që këto "fotokopje" nuk dinë të zgjedhin stilin e duhur, ashtu siç bënte ish-zonja e Parë për t‘u dalluar nga masa. Në një intervistë për revistën e famshme amerikane, "Vogue", Jackie tha: "Jam e shkurtër, flokët i kam ngjyrë gështenjë, ndërsa sytë shumë të larguar nga njëri-tjetri. Më duhen tri javë për të bërë një palë syze me porosi! Gjithsesi, edhe pse kam disa defekte, përpiqem t‘i fsheh përmes tualetit dhe veshjeve. Më pëlqen të kujdesem për veten". Siç e dimë, Jackie do të bëhej e famshme për faktin se mbante një palë syze dielli jashtëzakonisht të mëdha. Ndër të tjera arriti ta transformonte modelin e saj të flokëve "mjellmë" në një fenomen ndërkombëtar.

Jaqueline Bouvier Kennedy Onassis është padyshim një ikonë e stilit. Eleganca dhe finesa që e kanë karakterizuar në jetë, vazhdojnë të mbeten ende sot një frymëzim për femrat të cilat nuk kanë hequr dorë nga të qenit shik. Dhe meqë jemi te joshja, mund të mësoni disa sjelle të sajat, të cilat do t‘u vlejnë në jetë.

Këshilla jonë? Përpiquni dhe ju të bëni si ajo. Ndoshta nuk do të gjeni John F.Kennedy-n e ri, por të jeni të sigurta se do të keni gjunjëzuar atë që dëshironi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›