Miratohet kandidatura e gjykatëses Sonja Sotomajor
Komisioni i Senatit për Çështjet Juridike miratoi sot kandidaturën e gjykatëses Sonja Sotomajor për postin e anëtares së Gjykatës së Lartë. Në se kandidatura miratohet nga Senati, ajo do të bëhej anëtarja e parë latinase e Gjykatës së Lartë.
Komisioni, i kontrolluar nga demokratët, votoi pro saj në vija partiake. 13 senatorë, pothuajse të gjithë demokratë, votuan pro dhe 6 senatorë republikanë votuan kundër. Kandidatura do t'i paraqitet tani gjithë Senatit për votim javën e ardhshme. Pritet që ajo të miratohet.
Kryetari i Komisionit Juridik të Senatit, Patrik Lejhi, së bashku me kolegët e tij demokratë që votuan në favor, tha se ajo ka patur përvojë më të gjatë si gjykatëse federale se çdo anëtar tjetër i emëruar për në Gjykatën e Lartë në këto 100 vjetët e fundit.
Senatori Lindsi Grehëm, ndryshe nga kolegët e tij republikanë, votoi pro zonjës Sotomajor, duke thënë se ajo është më se e kualifikuar për postin dhe nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh të balancës në Gjykatën e Lartë.
Senatorët e tjerë republikanë të komisionit, përfshirë senatorin Xhef Seshëns, votuan kundër, duke thënë se fjalimet e saj të mëparshme tregojnë se "filozofia e saj juridike është tashmë e formuar”, dhe kjo sipas tyre do të ndikojë në aftësinë e saj për të marrë vendime të paanshme. (ze)