E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëkati i fjalës së bukur

Është paksa e vështirë të flasësh në kohën tonë për librat, sepse do të duhet të qëmtosh midis shumë të tillëve për të gjetur ndonjë libër të bukur. Është interesant, por në këtë qëmtim kam hasur në romanin e shkrimtarit, të poetit, studiuesit dhe… të botuesit Xhevair Lleshi. Ǒështë e vërteta, Xhevairi ka botuar pak libra artistikë, por libri poetik "Dita e ngrirë" dhe romani "Taulantët" (në variantin e parë botuar nën titullin "Përkrenarja e dallëndysheve"), tani i pasuar nga romani "Mëkati i bukur", janë libra të vërtetë, interesantë dhe që e gdhendin profilin e shkrimtarit. Romani "Mëkati i bukur" pretendon të jetë historik, por ai nuk i ka çuar fjalët në epokën historike së cilës i drejtohet, por jep thjesht ngjyrimin artistik me anë të tyre, duke gdhendur kështu një nga profilet më interesantë të shkrimtarëve të botuar në vitet e fundit. Kur analizojmë figurat artistike, është e domosdoshme ndoshta ta bëjmë në disa drejtime. Së pari si janë paraqitur personazhet, duke filluar nga Muzak Arianiti, Gjin Matarangu, i vëllai Andrian Matarangu, Ana - e shoqja e Gjinit, kryengritësit, pashallarët, hoxhët, priftërinjtë etj.; përshtatja e tyre në terrenin konkret (qyteti i Beratit) ku veprojnë dhe shpalosin jetët e tyre. Dhe më duhet të them se galeria e personazheve të Lleshit është e pabesueshme, e stilizuar, një galeri e tërë (do të thosha ka ardhur Osumi degë më degë dhe ka prurë një legjendë të pambarueshme personazhesh, të cilët i qëndrojnë bukur në gjoks edhe vetë qytetit).

Se nuk bëhet fjalë për Urën Vajgurore, as për Maliqin, as për Kuçovën, as për Patosin, Laçin a Bilishtin dhe Ersekën, por bëhet fjalë për qytetin e mrekullueshëm të Beratit (po perifrazojmë këtu Onufrin e madh). Së dyti, paraqitja e shprehjes së figurshme, qoftë në gojën e personazheve, qoftë edhe në përshkrimet e detajuara të natyrës, të qytetit të vjetër, të shtëpive dhe të njerëzve që jetojnë aty, të mjediseve të ndryshme. Por unë do të thosha se edhe emrat e njerëzve, homonimia, si dhe emrat e vendeve (toponimia) dhe të sendeve janë një shkollë tjetër për të mësuar shqip. Shprehjet e bukura marrin një stil amerikan. Ǒdo të thotë kjo? Shprehjet e figurshme do të ishin bërë një qëllim në vetvete sikur të mos qenë përdorur me tingëllim aktual. Dhe kjo në kritikën e sotme këtillohet (një fjalë e re e përdorur në roman, dhe në poezitë e bukura të Balil Gjinit e kam gjetur atë) si stil amerikan, domethënë "për ç‘të pyes unë e për ç‘më përgjigjesh ti", si përgjigje jo vetëm të shkathëta e me nëntekst të madh, por edhe si mençuri e gjetur.

Të shkruash për librin e Xhevair Lleshit, "Mëkati i bukur", është e domosdoshme që të qëndrosh fort te përdorimi i shprehjeve artistike, herë si figura të mirëfillta e herë si fjalë të urta. Kjo do të thotë, pikë së pari, se duhet të dish si ta përdorësh këtë thesar, si ta ekonomizosh dhe ta bësh për më tepër të pëlqyeshëm për lexuesin. Kjo, me fjalë të tjera, quhet punë, dhunti, aftësi. Por çfarë më pëlqen më tepër në këtë drejtim? Autori është njohës i mitologjisë pellazgo-ilire. Një njohje e studiuar apo e zbuluar? Por më duhet të vë në dukje se edhe shkrimtarë të tjerë shqiptarë kanë shkruar për mitologjinë interesante ilire dhe e përdorin me shkathtësi emërtimin e tyre. I tillë është për shembull i madhi Mitrush Kuteli. Dhe nuk është gjë e vogël t‘i ngjash një shkrimtari të madh shqiptar, jo të ndjekësh rrugën e tij, jo të shkruash si ai, po krejt ndryshe dhe me një stil që ka ngjashmëri me atë të Mitrushit, në këtë rast duke e mbajtur si një sfond të kërkuar e të lakmuar prej kujtdo. Përveç aftësive krijuese, kjo ka të bëjë edhe me punën këmbëngulëse. Dhe unë e njoh nga afër këtë punë të jashtëzakonshme të shkrimtarit Xhevair Lleshi. Do të më pëlqente së tepërmi që kjo të ishte edhe një punë e secilit prej nesh, poetë e shkrimtarë dhe e çdo njërit që e dëshiron historinë dhe e interpreton atë. Ja, ky është mëkati që ka bërë Lleshi, ky është ndryshe një mëkat i fjalës së bukur. Ky roman historik meritonte dhe meriton më tepër vëmendje e dashuri. Do të thosha edhe në vetë qytetin e bukur e të pashoq të Beratit. Ky është një libër bibël për atë qytet, libër i çdo shtëpie, sepse aty janë rrënjët e tij. Sepse e kërkon Muzak Arianitin dhe të del para syve Mesjeta me Andrea Muzakën e madh, me Teodorin II Muzaka, Kushetësin, sepse të del përpara syve Babë Dudë Karbunara, por edhe Mehmet Ali Vrioni. Një figurë si ajo e Muzak Arianitit bëhet kështu me përmasa kombëtare, një plak pa pleqëri, një plak i fortë dhe që ka shumë dashuri brenda, edhe brenda ditëvdekjeve, edhe përballë dashurive të papërballueshme. Të jesh brenda romanit te skena e dasmave mbetesh gati pa mend me elegancën e rrallë përshkruese dhe aty mund të bëhesh edhe etnograf, edhe historian, edhe psikolog, edhe shkrimtar e poet. Është një rast i rrallë. Kur shkruan Lleshi të duket sikur pikturon. Historia në rastin konkret, drejt vitit 1912, është gjetur si rast simbolik, është gjetur si një vit i madh edhe për të përmbledhur ngjarjet epokale të ndodhura në vend me kryengritjet e mëdha, duke filluar nga fundshekulli XIX. Por kjo do të ishte një histori e ftohtë, pa domethënie, nëse nuk do të kishte artin, vështrimin artistik. Ajo nuk është thjesht një kohë pa kohë. Historia, ngjarjet e ndodhura, nuk do të kishin efekt, nëse do të ishin përshkruar siç i njohim, por si është e vërteta e ndodhur faktikisht. E megjithatë autori nuk i ka shpëtuar dot edhe romantizmit, edhe simboleve nacionaliste, të cilat janë të justifikueshme, janë një prodhim i hamendjeve se sa i qytetërimit të asaj kohe. Historia nuk është më grackë ideologjike, ajo tanimë është një dukuri që i vështron gjërat ashtu si kanë ndodhur dhe nën frymën e asaj kohe, si ishte në të vërtetë fundi i "epokës së bukur" europiane, e cila nën dhé po përgatiste Luftën e Madhe. Dhe Shqipëria e vogël, e sapolindur, ende pa hequr asnjë pelenë, jo, nuk ishte ende Shqipëri, për më tepër duke qenë nën kërcënimet e hapura ballkanike dhe mosnjohjet europiane. Ky është sfondi, qielli i romanit, i cili më tepër se sa përshkruhet, ndihet… Romani "Mëkati i bukur" ka një subjekt, i cili shtjellohet me zhdërvjelltësi. Frymëmarrja e librit zgjerohet hap pas hapi, deri sa shpalosen tablo të gjera, jo vetëm në qytet, por edhe në krahinë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Çdo detaj ka rëndësinë e vet. Tiparet njerëzore i japin një fushëpamje interesante subjektit dhe një lirshmëri interesante, që e përshkon librin fund e krye. Do të shtonim këtu edhe këndvështrimin psikologjik. Nuk është një procedim i thjeshtë. Autori, njëherazi duke qenë edhe psikolog, i ka dhënë koloritin e duhur dhe i gjithë romani është shkruar nëpërmjet një meditimi të thellë. Nuk është një analizë psikologjike e thellësisë, por është një analizë e brendshme e qëndrueshme, me pikëkryqëzime tejet të vlefshme dhe që të çojnë te zbërthimi i brendshëm.

Në fund doja të veçoja edhe shënimin përfundës: "Ky libër u shkrua jo në kohën e duhur dhe u botua jo në kohën e duhur". Domethënë libri është shkruar në vitet 1988-1990 dhe u botua në 2008. Pas një ndërprerjeje vdekësore, ai nuk vdiq, por mbeti gjallë, për të mbetur në një fond të mirë letërsie. Skënder Rusi



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›