E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekreti i suksesit të tij

Asnjë President amerikan në historinë moderne nuk është përballur me një kthesë aq të mprehtë, si ajo me të cilën është takuar Barak Obama. Kur nisi udhëtimin e tij për nominimin demokrat para tri viteve, mesatarja industriale e Dow Jones ishte 14000 dhe bota ishte në mes të një lulëzimi të madh ekonomik. Kur ai e mori postin, industria financiare e Amerikës gjendej në kaos, tregjet e kredive ishin të ngrira, vlerat e pronave po binin dhe ekonomia ishte në tendosjen e saj më të keqe që nga Depresioni i Madh. Duhet shtuar këtu edhe Afganistani, Pakistani, Iraku, Irani dhe Koreja e Veriut, dhe do të kemi përpara një varg sfidash të jashtëzakonshme.

Mirëpo, nga shumica e vlerësimeve, 100 ditët e para të Presidentit Obama kanë qenë të suksesshme. Ekonomia mbetet e dobët, natyrisht, por ai ka paraqitur një sërë nismash për të stabilizuar kapitalin dhe tregjet e pronave; ka propozuar programe afatgjata për të krijuar rritje të qëndrueshme; i ka caktuar prioritetet ushtarake të Amerikës në Afganistan dhe Irak dhe ka nisur një proces të qasjes ndaj botës dhe ndryshimit të imazhit të Amerikës. Këto janë vetëm fillime dhe natyrisht gjithçka do të varet nga ajo se si do të dalin gjërat, në ekonomi, në Pakistan, në Irak.

Por, deri tani, cilido President do të ishte ziliqar ndaj arritjeve të Obamës. Pyetja e vërtetë është pse ka qenë Obama kaq i suksesshëm? Shumë komentues janë përqendruar në stilin e tij të qetë të udhëheqësisë, metodat e tij diskutuese dhe punën e tij të ngushtë ekipore. E gjitha kjo është e vërtetë. Por, ekziston një shpjegim më i gjerë për suksesin e deritanishëm. Obama e ka lexuar në mënyrë të drejtë shtetin dhe momentin politik. Ai e kupton që Amerika në vitin 2009 është një vend shumë më ndryshe në këto momente. Sondazhet thonë se shteti është më liberal nga sa ka qenë para dy dekadave.

Komentuesit konservativë janë në shumicë, në sondazhin e fundit të ‘Pew‘, duke treguar se reaksioni publik ndaj Obamës ka qenë më i polarizuar sesa ndaj cilitdo president të mëparshëm: demokratët me të vërtetë e pëlqejnë dhe republikanët me të vërtetë nuk e pëlqejnë. Por, statistika më goditëse e sondazhit ishte fakti se sa pak amerikanë tani vetidentifikohen si republikanë. Gjatë vitit të kaluar, numri i tyre sillej rreth 24%, më e ulëta në tri dekada. Nuk është puna se baza republikane është tkurrur, ashtu sikurse thotë shkencëtari politik i universitetit Emroy, Alan Abramowitz, në një ese: baza demokratike është zgjeruar.

Kur Bill Klintoni u zgjodh në vitin 1992, baza demokratike ishte 30 përqindëshi i elektoratit; votuesit e pavendosur përbënin 43 për qind dhe republikanët 27 për qind. Vitin e kaluar, demokratët përbënin 41 përqindëshin; votuesit e pavendosur ranë në 32 për qind dhe republikanët mbetën në 27 për qind. Për shkak se besnikëritë ndaj partive nuk kanë tendenca të ndryshojnë shpejt, një rritje prej 11 pikë për demokratët është mahnitëse. Abramowitz argumenton se këto ndryshime kryesisht i kanë rrënjët në demografi, posaçërisht në rritjen e popullatës jo të bardhë, ndaj ka gjasa që të qëndrojnë kështu për një kohë të gjatë. Nuk është vetëm çështja se Obama ka trashëguar një shtet më liberal. Ai ka kuptuar se si të përdorë momentin. Aforizma e Rahm Emanuelit: "kurrë mos e lë një rast të të shkojë dëm", në fakt është dëshmuar të jetë një strategji e shkëlqyeshme politike. Duke kombinuar shpenzimet afatshkurtra stimuluese me projekte afatgjata progresive, Obama ka habitur opozitën. Obama nuk e ka stërinterpretuar momentin. Ai e ka manovruar një drejtim të kujdesshëm e të mesëm, kur bëhet fjalë për të shpëtuar bankat.

Kritikat më të vrullshme ndaj politikave të tij nuk vijnë nga e djathta, por nga e majta, në ankesë ndaj nacionalizimit. Ai mund të ketë ose mos të ketë të drejtë, por përfundimisht politikat i ka të drejta. Shteti mbetet në përgjithësi i dyshimtë ndaj një qeverie të madhe, por dhe i rehatshëm me tregjet e lira dhe ndërmarrjet private. Dhe armiqësia e vjetër demokrate ndaj bizneseve të mëdha nuk rezonon aq fuqishëm më, sepse shumica demokratike e re ka më pak të bardhë të klasës punëtore dhe më shumë të diplomuar nga kolegji. Obama e ka përballuar mirë mllefin e publikut, duke i dhënë zë këtij mllefi, por pa luajtur me politika populiste.

Në qetësi, ai lajmëroi javën e kaluar se nuk do të rihapë negociatat mbi Marrëveshjen për Treg të Lirë të Amerikës Veriore për të vendosur standarde të reja të punës dhe të mjedisit. Mbi memorandumet e torturave, Obama e ka bërë të qartë (pas ca hezitimeve) se nuk dëshiron të kriminalizojë mospajtimin me politika. Mbi Irakun, ai ka shkuar drejt një drejtimi centrist, por megjithatë një drejtim që e tërheq prezencën ushtarake amerikane nga ai vend. Mbi Kubën, Iranin dhe Sirinë, uverturat e tij kanë qenë modeste dhe preliminare. Në pothuajse secilën arenë, ai ka shtyrë për ndryshime të politikave, pa u shqetësuar për opozitën e pashmangshme nga e djathta, dhe gjithmonë me një mënyrë të kthjellët e kalkuluese.

Globalizimi, imigrimi, më shumë gra që punojnë dhe më shumë të diplomuar nga kolegji, të gjitha këto e kanë ndryshuar Amerikën gjatë dy dekadave të fundit. Në një studim të detajuar për think tank-un liberal të Qendrës për Progresin Amerikan, Ruy Teixeira dhe John Halpin, theksojnë se 67 për qind e amerikanëve tani mendojnë favorshëm për termin "progresiv", një rritje prej 25 pikëve brenda pesë viteve. 65 për qind gjithashtu mendojnë favorshëm për termin "konservativ", por megjithatë kjo sugjeron se gjërat po ndryshojnë. Dhe suksesi i Barak Obamës rrjedh nga kuptimi i këtij ndryshimi. Dhe nga gatishmëria e tij që të veprojë në bazë të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›