E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sektori i shërbimeve nxit rritjen e punësimit, bujqësia dhe industria në rënie

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Tregu i punës në Shqipëri po shfaq shenja përmirësimi, i nxitur kryesisht nga rritja në sektorin e shërbimeve, ndërsa sektorët tradicionalë si bujqësia dhe industria vijojnë të pësojnë rënie.

Sipas Anketës së Forcave të Punës për tremujorin e dytë të vitit 2025, publikuar nga INSTAT, shkalla zyrtare e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç arriti në 69,1%, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, shkalla e papunësisë është 8,5%, duke shënuar një ulje të lehtë prej 0,1 pikë përqindje krahasuar me tremujorin paraprak. Shkalla zyrtare e papunësisë është 7,5% për burrat dhe 9,8% për gratë.

Analiza sektoriale tregon se punësimi në bujqësi ka rënë me 7,5%, ndërsa në industri me 3,8%. Në të kundërt, sektori i shërbimeve ka shënuar një rritje prej 6,2%, duke u konfirmuar si motori kryesor i përmirësimit të tregut të punës.

Gjatë tremujorit të dytë papunësinë tek të rinjtë është 15,1%. Ky tregues është ulur me 3,3 pikë përqindje krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024 dhe me 2,8 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2025.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›