E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSSH, 321 milionë lekë investime në rrjetin elektrik në Velipojë

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Zhvillimi i zonës turistike në Velipojë ka sjellë nevojën për investime në rrjetin energjetik për t’iu përgjigjur këtij konteksti të ri.

Ndërkohë që po përfundojnë punimet për nënstacionin e ri elektrik në Velipojë, që rrit kapacitetin nga 10 megavat në 50 megavat fuqi, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) planifikon ndërhyrje në linjat e tensionit.

Agjencia e Prokurimit Publik hapi sot dy procedura prokurimi me një vlerë totale prej rreth 321 milionë lekë, për të zhvilluar linjat e tensionit të mesëm 20 kV.

Projektet përfshijnë zhvillimin e linjës 20 kV nga nënstacioni Velipojë deri në kabinën Box 15/F5, duke përfshirë edhe ndërtimin e kabinave dhe pjesëve të reja të rrjetit me kabllo vetëmbajtëse ABC. Vlera e kësaj kontrate është rreth 204 milionë lekë.

Po ashtu sistemimin dhe ndërtimin e linjave të reja 20 kV në nënstacionin Shkodra 2, me një vlerë prej 117 milionë lekësh.

Në projektin e parë, zona Baks-Rrjoll në komunën Velipojë do të furnizohet me energji përmes fiderit nr. 5 të nënstacionit Velipojë. Ky fider do të ketë më shumë se 13 kilometra kabllo të vendosur në tokë, 700 metra linjë të re ajrore dhe 880 metra linjë ekzistuese.

Projekti i dytë përfshin rikonstruksionin e një segmenti ekzistues dhe ndërtimin e një fideri të ri në Shkodër 2. Linjat do të ndërtohen me kabllo alumini të izoluar me tension 20 kV. Fideri i ri do të ketë 14 kabina elektrike, prej të cilave 6 janë të reja.

Gjatësia totale e fiderit të ri do të jetë 11,6 kilometra, ku 8,34 km janë linja të reja dhe 3,26 km linja ekzistuese që do të përmirësohen.

Gjithashtu, fideri ekzistues do të rikonstruktohet në një pjesë prej 1,4 kilometrash.

Gjatë këtij viti, OSSH ka bërë investime të rëndësishme në rrjet, veçanërisht në zonat turistike, për të përmirësuar furnizimin me energji. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›