E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gonxhja pret ambasadorin e Spanjës, bashkëpunim në ekonomi, turizëm dhe kulturë

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades.

Gjatë këtij takimi u diskutua thellimi i marrëdhënieve dypalëshe me fokus në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, veçanërisht në fushën e turizmit dhe krijimin e mundësive për tërheqjen e kompanive spanjolle në tregun shqiptar.

Po ashtu, u theksua rëndësia e shkëmbimit të praktikave më të mira dhe forcimi i marrëdhënieve tregtare, si dhe u propozua nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërqeveritare (G2G) mes dy vendeve.

Në kuadër të “Javës kulturore spanjolle”, e cila zhvillohet për të katërtin vit radhazi, u vlerësua bashkëpunimi në fushën e shkëmbimeve kulturore, përmes trajnimeve në kuadër të programit Creative Europe, projekteve të përbashkëta kinematografike, si dhe shkëmbimeve të eksperiencës mes muzeve dhe institucioneve të trashëgimisë kulturore në përgjithësi.

Takimi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm për zhvillimin ekonomik dhe kulturor midis Shqipërisë dhe Spanjës.

Bashkëpunimi tregtar mes Shqipërisë dhe Spanjës ka njohur një rritje të ndjeshme gjatë shtatëmujorit të parë të vitit 2025, me eksportet shqiptare drejt Spanjës që arrijnë mbi 4% të totalit të eksporteve kombëtare.

Sipas INSTAT, kjo përfaqëson një nga ritmet më të larta të rritjes midis partnerëve tregtarë të Shqipërisë. Zgjerimi i eksporteve është kryesisht i lidhur me mineralet dhe artikujt prej metali, si hekuri dhe çeliku, të cilat po fitojnë terren në tregtinë dypalëshe me Spanjën.

Në këtë periudhë, vlera e eksporteve llogaritet 10,1 miliardë lekë, nga 7,6 miliardë lekë një vit më parë. Po ashtu, importet nga Spanja shënuan një rritje të lehtë, duke arritur 9,2 miliardë lekë. /j.p/

1 nga 6

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›