E Diel, 1 Nëntor 2026

Sektori ujësjellës kanalizime përmirësoi performancën në 2025-ën

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Sektori ujësjellës kanalizime ka shënuar përmirësim të performancës gjatë vitit 2025, duke reflektuar progres në disa prej treguesve kryesorë të shërbimit, ndërsa për herë të parë rezultatet e shoqërive po maten përmes një Indeksi Kompozit.

Risia u prezantua nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU) gjatë prezantimit të Raportit të Performancës për vitin 2025, ku u theksua rëndësia e një vlerësimi më të integruar të sektorit dhe përdorimit të të dhënave për orientimin e reformave dhe investimeve.

Indeksi Kompozit përfshin 12 tregues, të ndarë në tri dimensione: qëndrueshmëria financiare, eficienca operacionale dhe cilësia e aksesueshmëria e shërbimit. Përmes këtij instrumenti synohet krijimi i një pamjeje më të plotë të performancës së shoqërive ujësjellës kanalizime dhe identifikimi më i qartë i fushave ku nevojiten ndërhyrje.

Kryetarja e ERRU-së, Gerta Lubonja, e cilësoi progresin e vitit 2025 një rezultat pozitiv, duke nënvizuar se matja e performancës duhet të shërbejë si bazë për vendimmarrje dhe përmirësime të mëtejshme.

“Mesazhi i përgjithshëm i këtij raporti është pozitiv: sektori ka shënuar përmirësim gjatë vitit 2025. Ky është një rezultat që duhet vlerësuar, por edhe një nxitje për të vijuar punën”, tha Lubonja.

Sipas saj, të dhënat e performancës duhet të ndihmojnë institucionet dhe shoqëritë të përcaktojnë më mirë prioritetet, të adresojnë problematikat dhe të orientojnë investimet aty ku ndikimi te qytetarët është më i madh.

Raporti evidenton gjithashtu sfida që lidhen me qëndrueshmërinë financiare, eficiencën e operimit dhe zgjerimin e shërbimeve të kanalizimeve. Diferencat mes shoqërive mbeten të pranishme, çka e bën matjen e rregullt të performancës një instrument të rëndësishëm për ndjekjen e progresit.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, vlerësoi rezultatet e evidentuara gjatë vitit 2025 dhe theksoi rëndësinë e përdorimit të tyre për orientimin e reformave dhe investimeve të ardhshme në sektor.

Ndërsa menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, Massimiliano Paolucci, u shpreh se përmirësimet në qeverisje, mbikëqyrje dhe monitorimin e performancës duhet të përkthehen në shërbime më cilësore dhe më të qëndrueshme për qytetarët.

Sipas tij, shërbimet e besueshme të ujit janë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik, duke mbështetur turizmin, bizneset dhe investimet, si dhe duke rritur qëndrueshmërinë e komuniteteve përballë presioneve klimatike.

Reforma në sektor mbështetet nga Grupi i Bankës Botërore përmes Programit për Sektorin e Ujit të bazuar në rezultate dhe nismës “Utility of the Future”, me mbështetjen e Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

Shqipëria është përfshirë gjithashtu në nismën “Water Forward” të Grupit të Bankës Botërore, e cila synon forcimin e sigurisë ujore dhe përmirësimin e rezultateve për qytetarët, ekonominë dhe mjedisin.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›