AMF, kuadër i ri ligjor për tregun e kriptoaseteve në përputhje me standardet e BE-së

Tiranë, 2 tetor/ATSH/ Tregu i kriptoaseteve në Shqipëri do të funksionojë mbi rregulla më të qarta për operatorët dhe investitorët, me forcimin e transparencës, mbrojtjes së investitorëve dhe mbikëqyrjes së aktivitetit në këtë sektor.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur kuadrin e ri ligjor që synon të përcaktojë qartë se kush mund të ofrojë shërbime në tregun e kriptoaseteve, si do të licencohen operatorët dhe cilat janë kërkesat që duhet të përmbushin për të ushtruar aktivitetin. Në këtë mënyrë, synohet që aktiviteti i lidhur me kriptoasetet të zhvillohet mbi një bazë të konsoliduar ligjore dhe rregullatore.
Rregullat do të shtrihen edhe te platformat e tregtimit, shërbimet e kujdestarisë së kripto-aseteve, këmbimi, transfertat dhe administrimi i portofolave. Operatorëve do t’u kërkohet të përmbushin standarde për kapitalin, qeverisjen, sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e konflikteve të interesit.
Për investitorët, kuadri i ri parashikon më shumë informacion dhe transparencë për produktet dhe shërbimet që ofrohen, ndërsa vendosen rregulla edhe për parandalimin e abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave.
AMF bën të ditur se, projektligji parashikon trajtim të diferencuar të kategorive të kripto-aseteve, në varësi të natyrës dhe funksionit të tyre, duke përcaktuar kërkesa të ndryshme rregullatore sipas nivelit të rrezikut.
Kuadri synon gjithashtu përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian për financat digjitale, përmes transpozimit të Rregullores Evropiane MiCA.
Projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve” është hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe u miratua sot nga Këshilli i Ministrave.
Me miratimin e tij, Shqipëria synon të kalojë drejt një sistemi të plotë të licensimit dhe mbikëqyrjes së tregut të kriptoaseteve, duke krijuar një bazë të unifikuar për zhvillimin e këtij aktiviteti në përputhje me standardet evropiane.
/e.xh/j.p/r.e/