E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sekuestrohen 150 mijë euro dhe mbi 160 mijë paund të padeklaruara në Portin e Durrësit, në pranga shoferi i kamionit

150 mijë euro dhe më shumë se 160 mijë paund, të përfituara si rezultat i veprimtarisë kriminale, janë sekuestruar këtë të enjte (9 mars) nga Policia në Portin e Durrësit. Po ashtu, është vënë në pranga drejtuesi i kamionit që transportonte paratë nga Italia dhe po tentonte t’i fuste ato në Shqipëri, përmes Portit të Durrësit, pa i deklaruar.

Policia bën me dije se “u kalua për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, kamioni që drejtohej nga shtetasi D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit. Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”.

Ky është rasti i 5-të i tentativës për futjen e shumave të mëdha të parave të padeklaruara, i goditur nga Policia e Shtetit, gjatë muajve të fundit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e poseduesit/sve të këtyre shumave të parave në euro dhe në paund.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›