“Shoqëria civile, agjente e shërbimeve të huaja”, protestat detyrojnë qeverinë gjeorgjiane të tërhiqet nga projektligji i stilit rus

Pas dy netësh protesta, partia në pushtet e Gjeorgjisë është tërhequr nga projektligji që i cilësonte organizatat e shoqërisë civile si agjentë të shërbimeve të huaja.
Partia e kontrolluar nga miliarderi Bidzina Ivanishvili dhe partneri i tij në koalicion bënë të ditur se do ta tërheqin projektligjin “pa kushte” pas protestave publike. Sipas kritikëve, qeveria gjeorgjiane po shkonte drejt represionit të stilit rus.
Mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit Tbilisi të martën dhe të mërkurën duke valëvitur flamujt e BE-së, të Ukrainës dhe ato amerikanë duke rikthyer në kujtesë demonstratat pro-BE-së në Ukrainë para aneksimit të Krimesë nga Moska në 2014.
Demonstruesit brohoritnin “Jo ligjit rus” , “Të mos kthehemi kurrë në BRSS”, “Gjeorgjia i përket Evropës” dhe “Slava Ukraini” (Lavdi Ukrainës).
Protestat nisën pasi një projektligj i ngjashëm me atë në Rusi, ku Presidenti Vladimir Putin e përdori për të shtypur mediat e pavarura dhe organizatat joqeveritare, u shqyrtua në parim të martën në Parlamentin gjeorgjian, transmetojnë mediat e huaja.
Projektligji parashikonte që të gjitha mediat dhe OJQ-të të regjistroheshin si agjentë të shërbimeve të huaja nëse merrnin 20 përqind të financimit të tyre nga jashtë.
SHBA dhe Brukseli reaguan duke thënë se ligji ishte i papajtueshëm me përpjekjet e Gjeorgjisë për t’u bashkuar me BE-në dhe NATO-n.
/rtsh.al/