E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohen 90 kg marijuana lazaratase, pranga transportuesit

GJIROKASTËR-Rreth 90 kilogramë marijuanë nga Lazarati janë sekuestruar nga policia e Gjirokastrës, ndërsa është vënë në pranga një prej transportuesve.
Lënda narkotike që ishte destinuar për në Itali ishte futur në 3 canta dhe transportohej nga tre të rinj, nga të cilët në pranga është vënë vetëm shtetasi Ervis Murati.
Policia ka shpallur në kërkim 2 të rinjtë e tjerë, gjithashtu dhe pronarin e lëndës narkotike, një shtetas nga fshati Lazarat, si dhe një shtetas nga Durrësi që kishte blerë lëndën narkotike në fshatin Lazarat.

Operacioni
Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër rreth orës 00.30 të mëngjesit të datës 06.09.2012, kanë marrë informacion në rrugë operative se një automjet kishte transportuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga fshati Lazarat në drejtim të Tepelenës me destinacion kufirin detar për në Itali dhe për t’ju shmangur postobllokut të policisë në Ujin e Ftohtë Tepelenë, drejtuesi i automjetit e ka lënë lëndën narkotike në afërsi të pyllit të Ujit të Ftohtë rreth 500 metra mbi rrugën nacionale dhe më pas është larguar .

Marijuana ishte e futur në tre çanta të mëdha shpine dhe do të transportohej nga tre të rinj nëpërmjet pyllit të Ujit të Ftohtë deri në fshatin Luzat, me qëllim shmangien e postobllokut të Policisë dhe më pas përsëri do të transportohej me automjet .

Sipas policisë, tre të rinjtë kanë marrë çantat me lëndë narkotike dhe kanë filluar lëvizjen në drejtim të pyllit të ujit të Ftohtë, ku rreth orës 01.00 , të mëngjesit të datës 06.09.2012 , policia nëpërmjet mjeteve logjistike bashkohore, në vendin e quajtur Ormëne mbi aksin rrugor Gjirokatër -Tepelenë në afërsi të pyllit të Ujit të ftohtë kanë konstatuar tre të rinjtë që po transportonin me krahë lëndën narkotike.

Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve janë vënë në ndjekie të tyre, ku kanë bërë të mundur kapjen e njërit prej transportuesëve, ndërsa dy shtetasit e tjetër ka hedhur çantat me lëndë narkotike dhe janë larguar me shpejtësi në brendësi të pyllit të Ujit të Ftohtë Tepelenë duke përfituar nga errësira dhe nga njohja e terrenit.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor ku nga kqyrja që iu bë çantave nga ana e grupit hetimor rezultoi se secila çantë peshonte nga 30 kilogramë marijuanë. Lënda narkotike ishte e paketuar në pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, me peshë 1.2 kilogramë secila, gjithsej rreth 90 kilogramë Marijuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Policia arrestoi në flagrancë shtetasin, Ervis Murati, 31 vjec, lindur dhe banues në Shijak i dënuar më parë me 4 vite burg në shtetin grek për veprën penale të “Trafikut të lëndëve narkotike”. Nga hetimet rezulton se dy shtetasit që mundën të largoheshin janë nga Tepelena, të cilët janë identifikuar si personat A.K 29 vjeç dhe K.M 26 vjeç, të dy këta shtetas të skeduar si persona me precedentë penal në fushën e narko- trafikut. Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim policor e dy shtetasëve të tjerë, pjestarë të këtij trafikut të lëndës narkotike, konkretisht e pronarit të lëndës narkotike nga fshati Lazarat konkretisht shtetasi K.S 31 vjeç dhe shtetasit nga Durrësi B.A, 45 vjeç, që ka blerë lëndën narkotike në fshatin Lazarat dhe do ta transportonte me automjetin e tij .

Lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›