Sekuestrohen dy objekte të ndërtuara pa leje, arrest shtëpie për pronarin

Policia e Sarandës ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Sarandës për sekuestrimin e dy objekteve të ndërtuara pa leje në Ksamil, të cilat dyshohet se janë ndërtuar për qëllime fitimi dhe shërbime hotelerie.
Në kuadër të hetimeve për rastin, është ekzekutuar edhe masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për shtetasin K.P., pronar i objekteve, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Sipas Policisë, objektet e sekuestruara ndodhen në lagjen nr. 2, në rrugën “Derolli”, Ksamil. Bëhet fjalë për një objekt 5-katësh “Central Park Premium Hotel” dhe një objekt 1-katësh, të ndërtuar pa leje dhe të destinuar për shërbime hotelerie.
Operacioni është kryer nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.
Gjatë procedurave të ekzekutimit të vendimit gjyqësor, autoritetet konstatuan se hoteli ishte në funksion dhe në të ishin akomoduar pushues.
Për këtë arsye, janë marrë masa paraprake dhe, sipas Policisë, më 6 tetor 2026 do të kryhen të gjitha veprimet për ekzekutimin e plotë të vendimit të Gjykatës.a.b