E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sekuestrohet apartamenti i Ilir Beqajt në Vlorë, SPAK: 5 mln lekë investime, fshehu origjinën e pronës

Sekuestrohet apartamenti i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në Vlorë. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK, duke caktuar masën e seskuestros mbi apartamentin me vendndodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me ish-ministrin Beqaj.

Nga hetimet e SPAK, ka rezultuar se investimet e kryera për mobilimin e apartamentit që kapin vlerën e 5 milionë lekëve të reja, nuk janë deklaruar sipas ligjit nga Beqja apo personat e lidhur me të.

Po ashtu, nga hetimet e SPAK dyshohet se Beqaj ishte pronar ‘de facto” i banesës të cilën e kishte marrë me qira në vitin 2016 nga shoku i tij. 

Aparatamenti kapte vlerën e 6 milionë e 700 mijë lekëve dhe në 2017-ën,Beqaj së bashku me bashkëshorten kanë nisur mobilimin e banesës, procedurë e cila zgjati 2 vite.

Në 2020-ën, Ilir Beqja dhe bashkëshortja e tij, lidhën kontratën e qirasë me shokun e ish-ministrit, shtetasin I.F.

Por sipas SPAK, pavarësisht këtij fakti “ka rezultuar se personi nën hetim I.B dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.”

Faktet e mbledhura, sipas SPAK, vërtetojnë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 539, datë 20.09.2024, ka vendosur:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me oficerë të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës”, thuhet në njoftim.

Ish ministri Ilir Beqja është aktualisht i arrestuar për hetimet që po kryhen për akuzimet me tenderat kur ai drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).  

Beqaj u ndalua më 4 korrik me akuzën për prokurime fiktive në të paktën 8 raste në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i SASPAC-it.

Sipas SPAK prokurimet fiktive nuk kalonin përmes procedurave të rregullta ligjore. Abuzimet dyshohet se bëheshin mes Ilir Beqajt në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, gjithashtu i arrestuar, i cili në atë periudhë drejtonte projektin EUSAIR, pjesë e SASPAC përgjatë viteve 2022–2023.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›