Sela: Policia e shtetit po frikëson shqiptarët në Strugë

Kandidati shqiptar për Strugën, Ziadin Sela ka reaguar sot ndaj presioneve që ditëve të fundit organet e policisë u bëjnë qytetarëve shqiptarë.
Ai në një konferencë me gazetarët apeloi tek qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë, të mos ndihen të frikësuar dhe kërcënuar nga ato që realisht, sipas tij janë të kërcënuar, njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA.
Sela gjithashtu, ftoi edhe mërgimtarët shqiptarë që të mobilizohen edhe njëherë si më 24 Mars dhe së bashku më 7 Prill të festojnë fitoren e shqiptarëve, shkruan Ina.
" Kjo konferencë për shtyp ka për qëllim sensibilizimin edhe njëherë të faktorit të brendshëm dhe të jashtëm, një thirrje publike timen drejtuar përfaqësuesve të SHBA-së, OSBE-së, që të bëjnë presionet e nevojshme në qeverinë e Maqedonisë, te kryeministri Gruevski dhe te ministrat e VMRO-DPMNE-së, me qëllim ndërprerjen e destabilizimit të situatës që po bëjnë në Strugë. Ditëve të fundit është shtuar në mënyrë shqetësuese presioni që u bëhet qytetarëve të Strugës në lidhje me raundin e dytë të votimeve të 7 Prillit, duke i frikësuar ato, duke i shantazhuar, duke i dënuar në mënyrë që të arrijnë qëllimin e tyre”, deklaroi Sela.
U bëj apel që të ndalojnë me provokimet e tyre sepse përgjegjës për pasojat që do të ndodhin do të jenë ato.
“Format e presionit janë nga më të ndryshmet. Kanë nxjerrë jashtë çdolloj kompetence rajonin e policisë në Strugë dhe direkt prej Stacionit të policisë në Ohër, nëpërmjet policëve rrugorë, ndalojnë taksi, ndalojnë mjete të tjera të qarkullimit dhe u japin dënime të mëdha dhe pastaj u bëjnë presion që të shkojnë të paraqiten atje dhe për vota ti shlyejnë dënimet. Sot pasdite ose nesër, planifikohet që direkt nga MPB-ja të sillen njësi të veçanta të policisë, të cilët do të jenë të shpërndara nëpër Strugë me qëllim frikësimin dhe trembjen e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh kandidati i PDSH-së për komunën e Strugës./Indeksonline/