Thaçi: Procesi nuk është mbyllur, nuk ka dështuar

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka përsëritur se dialogu ka nuk dështuar dhe se pala e Kosovës si zakonisht ka pranuar marrëveshjen por ishte pala serbe që kishte kërkuar kohë shtesë.
“Nuk mund të themi se ky është proces i mbyllur ose i dështuar”, ka thënë Thaçi pa konkretizuar se kur do të duhet t’i dërgojnë baroneshës Ashton rekomandimet e parapara gjatë kësaj kohe.
Ai ka shtuar: “Shpresojmë se Serbia do të pranojë realitetin dhe marrëveshjen. E di se nuk janë vendime të lehta për ansjë vend dhe për asnjë lider, por secili nga ne duhet të shikojë drejt së ardhmes dhe të mos mbetemi peng i së kaluarës"
Thaçi nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen se, pse baronesha Ashton ka përdorur një term tjetër, ku në vend të fjalës ‘marrëveshje’, në deklaratën e saj kishte shkruar ‘në arritjen e një konkluzioni’.
“Aty shkruan qartë ‘për normalizimin e marrëdhënieve’”, është përgjigjur Thaçi pa gjetur se ku shkruan fjala 'marrëveshje', brenda deklaratës.
Nëse do të jetë marrëveshje, atëherë ajo duhet sjellë në Kuvend për ratifikim ku duhet të merr 2/3 e votave të parlamentit, ndërkaq meqë llogaritet si marrëveshje ndërkombëtare. Kurse si konkluzione sikur i ka quajtur Ashton, nuk është e nevojshme të dërgohen në Parlament.
Ndërkaq, për Asociacionin e Komunave ka thënë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive/Indeksonline/