Selia e BE-së në Tiranë, në pronën e kunatit të kryeministrit
Ndërtesa katërkatëshe nr. 32 në ish-Bllok, pronë e Agim Ramës, vëllait të Liri Berishës
Qendra e informimit të BE-së në Tiranë, e inauguruar me shumë bujë dy ditë më parë, është në pronësi të kunatit të kryeministrit Sali Berisha. Ndërtesa katërkatëshe në zonën e ish-Bllokut, që prej 48 orësh është mbuluar me një flamur gjigant të BE-së, figuron të jetë pronë e Agim Ramës, kunatit të kryeministrit Sali Berisha.
Faktet janë të bazuara në deklarimin e pasurisë së kunatit dhe bashkëshortes së tij në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive, të cilat janë zbuluar mbrëmë nga emisioni "Faktori plus" në "Vizion TV" të gazetarit Mero Baze.
Duke analizuar këtë fakt dhe inaugurimin e dy ditëve më parë, z. Baze thotë se "si për ironi të fatit, në kulmin e kësaj klime të acaruar politike, ku opozita akuzon familjen për kontroll të pushtetit politik e financiar në vend, në vizitën e Drejtorit për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, Pierre Mirel, bënte pjesë dhe përurimi i qendrës së re të informacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, e cila është ndërtuar në shtëpinë e Agim Ramës, kunatit të kryeministrit Sali Berisha.
Pavarësisht kësaj koincidence, që jo doemos flet për abuzime me pushtetin nga familja Berisha, shihet qartë se problemet e dala në pah nga vizita e zyrtarit të lartë evropian, janë më të mëdha, sesa ato që përpiqet të pranojë qeveria shqiptare, si palë kryesore në këtë krizë politike, e cila mund të na rrezikojë sërish heqjen e vizave pas 7 muajsh.
Në fjalën e tij gjatë inaugurimit të qendrës së BE-së në ndërtesën numër 32, në pronësi të kunatit të vet, Kryeministri Berisha ishte shprehur se kjo qendër do t'i ndihmojë qytetarët shqiptarë të kuptojnë projektin e tyre ëndërr, anëtarësimin e vendit në BE dhe do t'i mundësojë secilit prej tyre të kontribuojë në këtë proces.
Në ceremoninë e hapur nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, merrnin pjesë edhe kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ministri i Jashtëm, zoti Ilir Meta, ministrja e Integrimit, zonja Majlinda Bregu, ambasadori Lohan, përfaqësues të trupit diplomatik, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Tiranë. Qendra e Informimit, e cila nuk do të kufizohet vetëm në Tiranë, do të ofrojë një sërë shërbimesh falas, duke përfshirë botime të ndryshme, akses në internet, salla leximi etj.
Ndërtesa 32
Kunati i Berishës, Agim Rama, është një biznesmen i suksesshëm në fushën e ndërtimit. Ndërtesa numër 32, prej dy ditësh qendër informimi e BE-së është një vilë 4-katesh vetëm pak metra larg ish-vilës së Hoxhës.
Sipas të dhënave, ndërtimi i saj është bërë rreth 15 vite më parë, dhe kundër dëshirës së pronarëve të truallit, të cilët dështuan në 1996-ën që të merrnin pronën e tyre dhe pranuan një çmim prej rreth 1200 dollarësh për truallin prej 700 metrash katrorë, duke e bërë kunatin e Berishës pronar legjitim të saj.
Ndërtesa në fjalë, me një sipërfaqe të konsiderueshme është një pasuri që sot vlerësohet në disa milionë euro, ndërsa dhënia me qira i sjell pronarit një shifër të majme.
Sipas deklarimeve të kryera vitet e fundit në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Miranda Rama, bashkëshortja e kunatit të Berishës, është pronare e gjysmës së një apartamenti banimi 1+1 prej 60 metrash katrorë dhe bodrumi, të përfituar nga privatizimi i banesave shtetërore dhe gjysmën për bashkëshortin, në ndërtesën numër 32, në rrugën "Ismail Qemali".
Gjithashtu, në emër të bashkëshortit, Agim Rama, janë 100 për qind të dy apartamenteve secili prej 210 metrash katrorë, të krijuar në vitet 2002 dhe 2003, përkatësisht në vlerat 90 mijë dhe 250 mijë dollarë.
Në deklarimin e fundit të pasurisë, bashkëshortja e Ramës kishte një pasuri rreth 2.2 milionë dollarësh amerikanë, duke u bërë zyrtarja më e pasur e administratës. Bashkëshortja e biznesmenit Agim Rama (vëllai i gruas së kryeministrit, Liri Berisha) është anëtare e bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Në formularin me numër indeksi 07651, të plotësuar nga Miranda Rama, dy vite më parë thuhet se në pronësi të çiftit Rama rezultojnë të paktën 6 apartamente dhe një vilë me hapësira banimi luksoze për shumë shqiptarë dhe sipas justifikimit, bashkëshortja e kunatit të kryeministrit ka përfituar nga Banka e Shqipërisë dy kredi për strehim me nga 4 milionë lekë të reja secila, me interesa 0.5 për qind. Nga ana tjetër, kunati i z. Berisha është bashkëpronar i një televizioni pranë qeverisë.
Akuza e biznesmenit të ndjerë
Trebicka: "Agim Rama, lidhja e Berishës me Pinarin"
Biznesmeni i ndjerë, Kosta Trebicka, në një intervistë të dhënë në maj 2008-të, vetëm dy muaj pas shpërthimit tragjik të Gërdecit dhe katër muaj para së të vritej në një aksident, kishte përmendur edhe emrin e kunatit të Berishës si të lidhur me rrjetin e personave të lidhur me fajtorët e tragjedisë. Sipas rrëfimit të Trebickës, kunati i kryeministrit Berisha, Agim Rama, kishte lidhje të hershme me të pandehurin e çështjes së Gërdecit, Ylli Pinari.
Duke trajtuar informimin e Berishës për njerëzit që gatuan tragjedinë e gërdecit, ku vdiqën 26 vetë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, i ndjeri Trebicka do të shprehej tekstualisht: "Jam i bindur se zoti Berisha gjatë këtyre muajve pas ngjarjes së Gërdecit, si kryeministër, ka pasur të gjitha mundësitë objektive që të grumbullojë një informacion më të detajuar, për sa i përket veprimtarisë dhe background-it të zotit Pinari, i cili e ka filluar karrierën e tij në vitet '80-të në batalionin e transportit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Besoj se kryeministri mund të ketë marrë këtë informacion nga kunati i tij, zoti Agim Rama, i cili ka qenë koleg me zotin Pinari, sepse ka punuar si inxhinier në të njëjtin sektor me zotin Pinari".