E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selia rozë, reagim të butë ndaj sulmeve të LSI-së

Askush nuk duhet t‘i përgjigjet Ilir Metës me të njëjtën gjuhë. Ky është urdhri i dhënë prej kryesocialistit Edi Rama. Në kuadër të politikës së re, ai ka dashur të qëndrojë larg akuzave dhe kundërakuzave brenda llojit. Burime nga selia rozë sqarojnë se kjo është arsyeja se pse kanë munguar deklarimet e ashpra ndaj kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Reagimi ka qenë zyrtar dhe tonet në përgjithësi janë karakterizuar nga butësia. Drejtuesit socialistë duket se kanë preferuar t‘i përgjigjen Metës përmes zëdhënëses së Kryesisë së partisë, Mimi Kodheli. Shprehjet që përmbajnë deklaratat për shtyp të saj janë të një natyre të ftohtë, pa agresivitet. Në këto tekste gjen edhe shprehje optimizmi, ndërsa thuhet se "Ilir Meta nuk është kundërshtari ynë, është aleat që ka humbur rrugën". Në më shumë se një rast, socialistët kanë ftuar Metën t‘i bashkohet realitetit dhe të gjejë rrugën e politikës së re. Ndërsa kanë lënë gjithashtu të hapura mundësitë për bashkëpunim mes dy partive. Kryesocialisti Rama ka qenë i prerë teksa ka konfirmuar se prej gojës së tij nuk do të dalin sharje dhe fyerje për Ilir Metën. Përkundër qëndrimit taktik të socialistëve, drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë filluar ofensivën. Përmes një artilerie të rëndë ata vazhdojnë të godasin prej ditësh lidershipin socialist dhe mbi të gjitha kreun e kësaj partie, Edi Rama. Ai që ka investuar më shumë në këtë drejtim është Ilir Meta, që po analizon në çdo takim të tij pikat e dobëta të Ramës, të cilin e paralelizon me Berishën. Goditjet e drejtuesve të lartë janë ndjekur në shumë raste nga sherret dhe cicmicet e selive lokale dhe këshillave bashkiake në rrethe. Akuzat e rënda që vijnë nga lidershipi i LSI-së janë vënë në unison edhe me funksionarët e dy partive të tjera aleate, Partisë Aleanca Demokratike dhe asaj Demokracia Sociale. Paskal Milo dhe Neritan Ceka kanë furnizuar sulmin ballor ndaj socialistëve. Këta të fundit, në bazë të udhëzimeve nga sipër, pretendojnë që përmes heshtjes së lënë aleatët të shkojnë drejt "shterimit" të akuzave. Duke dashur të fitojnë në këtë formë edhe besimin e zgjedhësve, për faktin se janë distancuar prej gjuhës së akuzave dhe fyerjeve reciproke.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›