Meta: Vazhdojmë përpjekjet për të sqaruar PS
Ilir Meta insiston te kërkesa e tij ndaj Partisë Socialiste. Dje ai konfirmoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë përpjekjet për gjuhë të përbashkët me selinë rozë. "Në ditët dhe në orët që kanë mbetur, ju siguroj se nuk do t‘i reshtim përpjekjet tona për t‘i ofruar mundësi dhe sqarim lidershipit të Partisë Socialiste", u shpreh Meta. Mundësi që në vlerësimin e tij janë me qëllim reflektimin dhe distancimin nga hyrja në fuqi e atyre neneve që realizojnë një puç ndaj Republikës Parlamentare. Qëndrimi i Metës vjen një ditë pasi socialistët i mbyllën dyert ofertës së bërë nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa ai nuk ka bërë të qartë se deri kur pritet reflektimi në terma kohorë. Meta propozoi pak ditë më parë një pakt me socialistët, me qëllim kalimin e paketës kushtetuese në referendum popullor. Ai ofroi konsensus për sistemin zgjedhor të sanksionuar, proporcional rajonal, duke ftuar PS-në të japë firmat për rrëzimin e ndryshimeve të tjera. Ky lëshim, sipas Metës, bëhet vetëm me qëllimin e mirë për t‘i ofruar Ramës dhe socialistëve shansin të largohen prej Sali Berishës. Sakaq, thirrjet e Metës për firmat e deputetëve socialistë duket të jenë të kushtëzuara nga numri që kërkon Kushtetuta për kalim në referendum. Një kërkesë e tillë, e paralajmëruar prej LSI-së, do të kërkonte një numër prej 28 firmash. Element që duket të ketë vështirësuar rrugën e Metës drejt formulimit të kërkesës. Mundësia tjetër mbetet mbledhja e firmave në popull, e lançuar prej presidentit të aleancistëve, por e pakonkretizuar ende.