E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, dialog me Shqipërinë. Meta, tur takimesh me rininë

Dy vjet më parë, Ilir Meta dhe Edi Rama shkelën qendrat kryesore të vendit, duke "mbjellë" mesazhin e bashkimit. Një aksion, që më së shumti synonte të sheshonte gropat e mëdha që la pas procesi zgjedhor i vitit 2005. Sot, secili prej liderëve ka filluar të mendojë në hesap të vet dhe ajo çka ndodhi para dy vitesh ngjan shumë herë më e largët. "Dialogu me Shqipërinë" i kreut socialist Rama po përplaset herë pas here me "Turin me Rininë" të ish-kryeministrit Ilir Meta. Tentativa për të bashkuar socialistët duket të ketë dështuar me sukses të plotë. Ndërsa çarja dhe mëria e pas zgjedhjeve të vitit 2005 rrezikojnë të avancojnë, duke e bërë mision thuajse të pamundur bashkëpunimin në të ardhmen.

Turet

Kreu i socialistëve, Edi Rama, ka zgjedhur prej shumë kohësh të kalojë të paktën fundjavat në qytetet e ndryshme të vendit. Pas më shumë se dy vitesh opozitë, ai ka shkelur në pothuajse çdo qendër kryesore të banuar. Për të mos llogaritur edhe ndalesat e tij të shpeshta në fshatra të ndryshme nga veriu në jug të Shqipërisë. "Dialogu me Shqipërinë" është menduar si forma më e mirë për lançimin e politikës së re. Ndërsa kryefjala e këtyre vizitave është kapërcimi i kufijve partiakë drejt një alternative që u shërben qytetarëve, pavarësisht ngjyrave e flamujve. Një pikë jo pak e rëndësishme në aksionin e Ramës në bazë është depërtimi në zonat e "nxehta". Paralelisht me kritikat ndaj Kryeministrit dhe qeverisë "Berisha", ky element ka shërbyer edhe si një lloj përgjigjeje në "heshtje" për kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim. E ndërsa Ilir Meta e akuzon personalisht se ka shkatërruar opozitën dhe koalicionin, Rama javët e fundit ka koleksionuar dy vizita të suksesshme dhe jo pak të rëndësishme. Lideri socialist ka hyrë në Lazarat dhe në Tropojë, lokalitete problematike për shumë funksionarë të lartë politikë. Sakaq, Ilir Meta është investuar fuqishëm në një aksion të ngjashëm në shumë qendra të vendit. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim po zhvillon takime, që në thelb përmbajnë bisedat me rininë. Përtej kësaj, qëllimi primar duket se është bindja e elektoratit, për faktin se dyshja Rama-Berisha është e dëmshme për interesat e vendit. Paralelizmi që Meta u bën këtyre dy figurave duket se synon në vetvete të rrisë aksionet e tij politike, si lideri i duhur i së majtës. Çështja e Kryeministrit të ardhshëm, ajo çka Rama e Meta nuk arritën ta zgjidhnin në qendër, qartazi duket se po jep pasojat në bazë.

Rinia

Lëvizja Socialiste për Integrim tenton të sfidojë opozitën dhe mazhorancën përmes përfshirjes në radhët e saj të të rinjve. Kjo kategori rezulton që në pjesën dërrmuese është indiferente ndaj politikës dhe për rrjedhojë nuk u drejtohet kutive të votimit. Skema që po zbaton LSI-ja synon ta thyejë këtë akull, duke u ofruar të rinjve shansin të ecin para në politikë. Në emër të këtij aksioni, është ndërtuar edhe turi i dialogut me rininë në qytete të ndryshme. Përmes mbështetjes së kësaj shtrese, Lëvizja Socialiste për Integrim programon të rrisë mbështetjen elektorale. Zgjerim që është jo pak domethënës në rastet kur përfshin një grupmoshë që bën pjesë në zonën e atyre që nuk preferojnë të votojnë. Lëvizje të tilla janë shfaqur së fundi edhe prej partive të tjera, qoftë edhe brenda bllokut opozitar. Socialdemokratët kanë bërë tentativa për të dhënë idenë e hapjes ndaj shtresave rinore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›