Selmani në Brazil
Edhe pse Brazili ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, kjo duket se nuk paraqet problem që artistët nga Kosova të prezantohen nëpër ekspozita që mbahen në galeritë e këtij vendi.
Para pak ditësh në qytetin Sao Paolo të Brazilit, respektivisht në galerinë ‘Casa Contemporanea’, është hapur ekspozita artistike ‘Exposiçao Aberto para Re-Forma’. Galeria ‘Casa Conteporanea’ njihet për promovimin multikultural artistik dhe është e përqendruar më shumë tek artistët të cilët merren me vizatime, ku ndërthuren elementet e urbanizmit dhe ndikimi i tyre në jetën e përditshme.
Në këtë ekspozitë, e cila është kuruar nga artisti japonezo-brazilian Claudio Matsuno si dhe bashkëkuratorët: Marcello Salles dhe Marcia Gadioli, ka marrë pjesë edhe artisti kosovar Driton Selmani.
Punimet e tij janë prezantuar në këtë ekspozitë bashkë me punimet e artistëve të vendeve të ndryshme si Brazili, Ekuadori, Peru, Japonia etj. Në mesin e këtyre shteteve figuronte edhe emri i shtetit më të ri të Europës.
Selmani tregon se punimet e tij janë prezantuar atje me ftesë të kuratorit të ekspozitës Claudio Matsuno.
“Ai më ka ftuar. Nuk ka qenë ndonjë lloj konkursi, por kam shkuar me ftesë të tij. Unë kam shkuar si përfaqësues i Kosovës pasi që ekspozita ka qenë ndërkombëtare dhe kanë marrë pjesë edhe artistë të vendeve tjera përveç Brazilit”, shprehet Selmani, i cili më herët gjatë këtij viti ka marrë pjesë edhe në ekspozita të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Ai tregon se fillimisht organizatorët e ekspozitës e kanë prezantuar Selmanin si artist nga Serbia, por pasi ai u ka treguar atyre se është shtetas i Kosovës dhe Kosova është shtet i pavarur atëherë ata e kanë përmirësuar gabimin.
“Në fillim ata e kanë shkruar Serbia. Nuk është që e kanë ditur aq mirë problemin këtu të na. Mbasi ua kam shpjeguar atëherë e kanë kuptuar”, tregon ai.
Punimet e artistëve të prezantuar në këtë ekspozitë kanë të bëjnë më shumë me idenë e lidhjes arkitektonike urbane me artin modern të kohës dhe ndikimin e këtyre gjërave të artistët. Shumica ka qenë e përqendruar kah artet vizuale, më shumë kah vizatimi modern.
Selmani tregon se punimet e tij janë pritur shumë mirë.
“Kam marrë komente edhe prej artistëve të tjerë, të cilët fatkeqësisht nuk kam mundur t’i njoh. Për shkaqe objektive nuk pata mundësi të shkoj edhe pse e kam pasur ftesën.
Duket se punimet e mia janë pritur mirë, pasi që më kanë kontaktuar me e-mail dhe më kanë përgëzuar për punët e mia”, tregon ai. Ndërkaq, për arsyen e mosshkuarjes atje, Selmani tregon se e ka pasur një test shumë të rëndësishëm për shkollë, andaj edhe nuk ka mundur ta humbas testin duke shkuar në ekspozitë.
“Kjo ka qenë arsyeja”, shprehet ai, duke sqaruar se ekspozita nuk ka pasur karakter garues.
Përderisa flet për punimet e tij, Selmani thotë se ato janë punime të asaj teme me të cilën është hapur ekspozita.
“Do të thotë, është kjo jeta urbane, rurale dhe ndikimi i arkitekturës në këto gjëra”, sqaron ai.