Duro: “Më pëlqen të luaj nën presion”
Ka qenë menaxheri shqiptar i FIFA-s, Sokol Haxhiaj, ai që ka realizuar edhe transferimin e mesfushorit të kombëtares në “atdheun” e Arjan Beqajt e Altin Haxhit. “Po, transferimi është kryer prej meje në një kohë rekord. Kontaktet i nisëm me Omonian dhe i përfunduam po me të, pasi dhe klubi i plotësoi të gjitha kushtet e kërkuara nga lojtari, pasi pati edhe frikë se mos e merrte Apoeli, që do të marrë gjithashtu pjesë në Kupën UEFA, apo edhe ndonjë konkurrent tjetër”, - tha Haxhiaj për “Albania”, i cili ndodhej në transitin e Vienës, në kthim e sipër nga Qipro me destinacion Italinë, ku dhe banon menaxheri. Haxhiaj është fotografuar nga agjencitë qipriote në momentin e nënshkrimit të kontratës së ish-futbollistit të Elbasanit, Vllaznisë e Partizanit.
Duro, i cili ishte shumë pranë edhe nënshkrimit me Verian vitin e kaluar, do të mbajë në fanellë numrin 10 te Omonia. Politis-sports.com thekson faktin se ai do të çelë një epokë të re te klubi ishullor. “Duro deklaroi për drejtuesit e ekipit, por dhe për mediat qipriote se i pëlqen të luajë në presion, se dhe ai e nxit më shumë për të dhënë maksimumin”, - citon Haxhiaj deklarimet e Klodianit.
Omonia, që e mbylli sezonin aktual në vendin e tretë ka fitur 19 kampionate (i fundit në vitin 2003), 12 kupa të Qipros (2005) dhe 12 Superkupa (2005). Omonia, që humbi në finalen e Kupës kundër Apoelit, do të luajë në turin e parë eliminator të Kupës UEFA dhe ka të ngjarë të luajë kundër një prej dy skuadrave shqiptare, Vllaznisë apo Partizanit.
“Omonia ka ndryshuar drejtuesit, dhe duke qenë një klub me histori të madhe synoi në blerje të rëndësishme, pasi synojnë të të fitojnë titullin, që u mungon që nga viti 2003, por dhe të ecin sa më shumë në Europë”. Haxhiaj thekson se klubi përveç pagesës fikse në kontratë ka vendosur edhe premio të mëdha në rast të fitimit të kampionatit apo Kupës së Qipros, si dhe kalimet e turit në Kupën UEFA. “Është një klub që kërkon trofe dhe ka shpenzuar shumë”.
“Një idhull i ri për Omonian”. Mediat qipriote i kanë kushtuar një bujë të madhe transferimit të 31-vjeçarit Klodian Duro te Omonia e Qipros. “Me ‘tërfil” në gjoks do të luajë në sezonin e ardhshëm mesfushori sulmues shqiptar Klodian Duro”, - shkruante faqja qipriote haravgi.com.cy, që i kushtoi edhe një biografi të gjatë sportive karrierës së ish-lojtari të Tiranës.
Në mesfushën e Omonias luajnë lojtarë nga Portugalia, Senegali, Brazili, Serbia e natyrisht nga Qipro. Faqja tjetër qipriote typosonline.com e konsideron blerjen e shqiptarit si shumë të goditur: “Një idhull i ri për Omonian”, duke theksuar se Duro ka në statistikat e tij 45 ndeshje më KOmbëtaren duke nisur nga viti 2003. Karriera ndërkombëtare e Klodianit me Malatyaspor e Caykur Rizespor në Turqi dhe sidomos aktivizimi të gjermanët e Arminia Bielefeld (19 ndeshje) në sezonin 2004-2005, ishin edhe kredencialet e forta të Duros, i cili nënshkroi një kontratë dyvjeçare për një shumë të konsiderueshme. Duro ishte golashënuesi më i mirë i Tiranës gjatë sezonit që porsa u mbyll, por u përjashtua nga bardheblut pas ndeshjes finale të Kupës me Vllazninë.
Bakaj për testim të Verder Bremen
Mesfushori sulmues i Partizanit, Elis Bakaj, pritet të kryejë një provë te gjigantët gjermanë të Verder Bremenit, skuadrës së dytë të Bundesligës, që siguroi një vend direkt në fazën e grupeve në Ligën e kampioneve. “Albania” arriti të sigurojë lajmin nga burime të sigurta, teksa mësohet në rrugë konfidenciale se është menaxheri Sokol Haxhiaj, ai qa ka siguruar edhe pikën e kontaktit me klubin ku aktivizohet një nga lojtarët më të kërkuar në Europë, braziliani Diego. Haxhiaj ka një listë të pasur lojtarësh shqiptarë, që nis me Erion Bogdanin e përfundon te Gilman Lika e Andi Lila. Elis Bakaj, i cili dy sezone më parë kaloi disa ditë te Janina në Greqi, bëri një sezon të jashtëzakonshëm, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i Partizanit (12 gola). Elis Bakaj, i cili mban edhe rekordin shqiptar për aktivizimin në një ndeshje ndërkombëtare me klubin e Partizanit, në moshën 17 vjeç, në ndeshjen kundër Makabi Netanjaut (2004) ka kaluar përmes të gjitha seleksioneve shqiptare nga U-15 e së fundi te Kombëtarja A. Mesfushori i avancuar energjik, i konsideruar edhe si një Zamarano i vogël u vlerësua shumë nga ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç dhe gjendet në listën e të thirrurve nga Ari Han për ndeshjen miqësore kundër Polonisë.
20 Maj 2008