E Diel, 1 Nëntor 2026

Seminari i gjuhës, tryezë për Nënë Terezën

25/08/2010 Shënon edicionin e tij të 29-të dhe prej 16 gushtit ka mbledhur në Prishtinë albanologët dhe studiues nga vende të ndryshme të botës. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe sjell diskutime mbi tezat dhe përfundimet e arritura gjatë një viti për zhvillimet e gjuhës dhe letërsisë, por e veçantë në këtë edicion është se tryeza e seminarit i kushtohet Nënë Terezës në 100-vjetorin e lindjes. Përgatitjet për edicionin e sivjetshëm të seminarit kanë nisur që në fillim të janarit të këtij viti dhe organizatorët patën premtuar që më herët se këtë vit do të trajtohen tema të zgjedhura problemore nga fusha e shkencave albanologjike. Vetëm në programin e punës së seminarit referojnë 40 studiues shqiptarë dhe të huaj. Edhe këtë vit, si zakonisht, seminari do të ketë sesionin e gjuhësisë dhe atë të letërsisë. Në të dy sesionet do të lexohen 116 kumtesa nga shqiptarë dhe të huaj. Mund të përmenden emra të njohur studiuesish që marrin pjesë në këtë seminar, si: Istvan Schutz nga Hungaria, Oliver Schmitt nga Austria, arvanitasi Niko Stylos, etj. Temë bosht e sesionit shkencor të gjuhësisë sivjet është “Kontaktet e sotme të shqipes”, ndërsa “Poezia e sotme shqipe” trajtohet në kuadër të sesionit shkencor të letërsisë. Po në kuadër të këtij seminari, më shumë se 80 kursistë do të ndjekin kurset e gjuhës shqipe, të cilat këtë vit janë ndarë në tri nivele. Grupi prej 83 pjesëmarrësish është shumë heterogjen dhe në të ka pjesëmarrës nga shumë vende të botës, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende të ndryshme të Evropës, disa prej të cilëve kanë qendra për studimin e albanologjisë. Në këtë seminar marrin pjesë edhe studiues nga Shqipëria, si Ymer Çiraku, Floresha Dado, Adem Jakllari, Idriz Metani, Mimoza Gjokutaj, Persida Asllani, Dhurata Shehri etj. Ky seminar është takimi më i madh i organizuar me albanologët për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Seminari do të zgjasë deri më 27 gusht.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›