E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria nuk është siç shihet nga kullat e Fidelit”

25/08/2010 Kryeministri kërkon nga opozita të vlerësojë ndryshimet reale të vendit

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga opozita dhe kryetari i saj, Edi Rama, të heqë dorë nga nihilizmi, por të shohë realisht ndryshimet e vendit gjatë viteve të fundit. Duke folur gjatë përurimit të rrugës së komunës Petrelë, pranë Tiranës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 100 milionë lekë, shefi i ekzekutivit ka theksuar se Shqipëria u bë një nga vendet, ku jetohet më mirë, sepse në këtë vend u shumëfishuan potencialet ekonomike të qytetarëve shqiptarë. “Krahas këtij realiteti të qartë si drita e diellit, ekziston edhe Shqipëria tjetër, Shqipëria që shihet nga kullat e Fidelit, nga ku ajo duket e zezë sterrë. Prandaj ju bëj thirrje që t’i ftoni deputetët e opozitës në këto, kafenetë tuaja të mrekullueshme, të vijnë të prekin realitetin, të dalin nga kullat e Fidelit e të shohin se Shqipëri është krejt tjetër, se Shqipëria po ndryshon përditë dhe po bëhet gjithnjë e mirë për të jetuar”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë ka theksuar se opozita të mos shndërrohet në një nihiliste, pasi rrënjët e saj (nihilizmit) “janë në fundamentalizmin komunist, totalitar, trashëgimi e keqe e Partisë Socialiste”. Kryeministri theksoi se PS-ja nuk mundet të faktojë se është e reformuar, duke mohuar nga mëngjesi deri në darkë gjithçka pozitive që zhvillohet në këtë vend. Berisha pranoi se qeveria nuk është perfekte dhe se nuk ka të meta apo vështirësi serioze. “Jam i vetëdijshëm se ka njerëz që vuajnë, por që këto janë të gjitha në pakësim të shpejtë. Jam i vetëdijshëm se ka ende qytetarë në mjerim, por unë i garantoj se brenda këtij mandati, në këtë vend nuk do të ketë qytetarë shqiptarë që të qajë me lotët e ftohta të mjerimit, çdo ditë”, - ka theksuar ai. Por, shefi i ekzekutivit shtoi se të gjithë ata, që nuk kanë frikë që të shohin të vërtetën në sy, apo ata, të cilëve fanatizmi politik nuk ua errëson sytë për të parë të vërtetën, e kanë sot të qartë se investimet e qeverisë kanë bërë vendin shumë më të mirë për të jetuar. Ai tha se investime të mëdha kanë marrë shumica dërrmuese e komunave të vendit dhe qeveria ka investuar në infrastrukturë, ka ndërtuar dhe rindërtuar deri tani mbi 6 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin. Kryeministri gjatë konferencës për shtyp pas përurimit të rrugës ka reaguar edhe ndaj rrëzimit që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i bëri ligjit të pronave, të propozuar nga mazhoranca. Berisha ka nënvizuar se vendimi për një ligj të caktuar është një e drejtë kushtetuese e kreut të shtetit. “Kushtetuta e vendit i njeh të drejtën e plotë Presidentit të vendit të rikthejë në Parlament ato ligje, të cilat ai i gjykon se duhet të rishihen, të mos firmosë ato ligje që nuk dëshiron t’i firmosë. Kemi një ushtrim të të drejtave kushtetuese të Presidentit dhe kjo është krejtësisht normale”, - ka deklaruar Kryeministri. Berisha kujtoi studimin e bërë nga gazeta amerikane “Newsweek”, sipas të cilës Shqipëria është një vend ku jetohet më mirë. Ai tha se vetëm 10 vite më parë, Shqipëria renditej e 3-ta në botë me shkallën më të lartë të varfërisë dhe mjerimit, ndërsa tani e 57 në botë, për jetesën më të mirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›