E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet, 10 kërcënuesit e shëndetit

13/04/2011  Komplikacionet kardiake, ato pulmonare si dhe tumoret po shtohen me ritme shqetësuese

Ndryshimet në mjedis, veçanërisht niveli i ndotjes po favorizon rëndimin e sëmundjeve

Niveli i sëmundshmërive në vend gjatë viteve të fundit po shënon rritje në përmasa shqetësuese. Kjo veçanërisht për kategoritë e sëmundjeve kardiovaskulare, atyre pulmonare, alergjive, tumoreve si dhe llojeve të tjera. Shkaqet kryesore të rritjes në mënyrë të frikshme të gamës së sëmundjeve renditen të jenë moskontrollimi i presonit të lartë të gjakut, prija e duhanit, alkoolit, kolesteroli, mbipesha, konsumimi i ulët i perimeve dhe frutave, aktiviteti i ulët fizik, rreziqet mjedisore, rreziqet në punë, përdorimi i drogave. Sipas ekspertëve, ndryshimet që po ndodhin në mjedis së fundmi, e veçanërisht rritja e nivelit të ndotjes, po bëhet një kërcënim serioz për shëndetin e popullatës, ku më problematike situata rezulton të jetë në kryeqytet. Gjatë një takimi të zhvilluar me ekspertët e mjedisit të strukturave të shëndetit publik, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, është fokusuar te situata në kryeqytet, ku niveli i ndotjes po shfaqet në përmasa alarmuese. Kundrejt kësaj situate, specialistët kanë bërë me dije se disa prej faktorëve që kanë shkaktuar rritjen e nivelit të ndotjes në kryeqytet mbeten: trafiku i rënduar rrugor, shtimi i numrit të automjeteve që lëvizin, sektorët e ndryshëm të industrisë, veçanërisht ai i ndërtimit etj. Po ashtu bëhet me dije se në pjesën dërrmuese të rasteve edhe mirëmbajtja e automjeteve nuk kryhet në përputhje me rekomandimet, gjë që shkakton një shkarkim të konsiderueshëm në ambient të gazrave dhe të substancave të djegura e të dëmshme. Këto shkarkime varen shumë edhe nga cilësia e karburanteve që përdoren për konsum. Gazrat që çlirohen nga automjetet, benzina apo nafta, janë disa herë më të rrezikshme se ato të pluhurit, pasi këto gazra futen lehtësisht në organizëm dhe shkaktojnë sëmundje të rënda. Ministri ka pohuar se kryeqyteti ndodhet në kushte shqetësuese, pasi aty gjenden të gjitha llojet e ndotjeve si të karakterit infrastrukturor, ashtu edhe të karakterit mikrobiologjik (mbeturinat) apo edhe ndotja nga automjetet. “Tirana nuk po merr më frymë. Tonelatat e betonit ia kanë mbytur mushkëritë, sot ajo i përngjan Londrës së 300 viteve më parë. Ne kemi kërkuar t’u hyjmë më në thellësi dëmeve shëndetësore, në mënyrë që gjithmonë e më shumë të ndërtojmë një bazë të fortë shkencore. Kërcënimet kryesore të shëndetit janë të influencuara nga ndotja dhe ju e kuptoni që sa më e lartë të jetë ndotja, aq më shumë faktorët e riskut shtohen. Rreziqet mjedisore klasifikohen si një nga 10 të faktorët që rrezikojnë më së shumti jetën e njeriut”, ka pohuar ministri. Për këtë është kërkuar ndërhyrja e menjëhershme, veçanërisht e strukturave të pushtetit lokal, me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra për të ulur këtë rrezikshmëri.

Mjedisi mund të influencojë në mënyrë direkte ose indirekte mbi shëndetin e njeriut. Nëpërmjet tij mund të favorizohet qarkullimi i agjentëve të ndryshëm patogjenë si në ujë, tokë, ajër, por dhe të faktorëve të tjerë biologjikë, si polene dhe alergjenë të ndryshëm, të cilët kur janë prezente në mjedis, prekin një numër të caktuar popullate pa dallim moshe.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›