E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet që kërcënojnë shëndetin e shqiptarëve

16/03/2010 Rezultojnë shqetësuese kequshqyerja, hipertensioni, sëmundjet seksuale, duhani e alkooli

Gjatë viteve të fundit shqiptarët, meshkuj e femra, kanë rritur dozat e alkoolit dhe duhanit, kanë shtuar sjelljet e riskut, duke u prekur nga sëmundjet seksuale të transmetueshme si pasojë e lidhjeve jashtë martesore. Po ashtu është rritur përqindja e të sëmurëve nga hipertensioni si dhe mbetet shqetësuese vdekshmëria foshnjore në zonat rurale. Këto janë përfundimet zyrtare të studimit të parë kombëtar mbi demografinë shëndetësore të popullatës shqiptare. Në një aktivitet të zhvilluar gjatë ditës së djeshme nga institucionet shëndetësore janë prezantuar problemet më të shpeshta që prekin popullatën, duke e ekspozuar atë ndaj sëmundjeve të ndryshme. Në këtë studim janë përfshirë rreth 9 mijë familje shqiptare.

Kequshqyerja

Kequshqyerja mbetet një ndër shqetësimet më të shpeshta që rrit nivelin e sëmundshmërisë së popullatës shqiptare. Veçanërisht te fëmijët, të cilët ekspozohen ndaj një sërë problemesh që kufizojnë rritjen e tyre normale. Studimi tregon se në lidhje me kequshqyerjen u vu re se 5 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç janë nën peshë në krahasim me moshën e tyre, ndërsa 22 për qind e fëmijëve të kësaj moshe janë mbi peshë ose obezë. Ndërsa tek të rriturit më shumë se 3 për qind e grave në Shqipëri janë nën peshë, 39 për qind janë mbi peshë ose obezë, prej tyre 30 për qind janë mbi peshë dhe 10 për qind janë obezë, duke shfaqur probleme të rënda shëndetësore.

Tradhtitë

Një tjetër gjetje e studimit janë edhe problemet që vijnë si pasojë e mosfunksionimit të jetës bashkëshortore. Kjo e fundit bëhet shkak i një sërë sëmundjesh seksuale, që merren nga ndërrimi i partnerëve. Për sa u takon sjelljeve seksuale, studimi tregon se 27 për qind e burrave dhe 7 për qind e grave kanë sjellje të lartë risku, pasi në 12 muaj kanë raportuar se kanë pasur një raport jashtë martese. Ndërkohë që 11 për qind e grave dhe 5 për qind e burrave raportojnë se kanë qenë të prekur nga sëmundje seksuale të transmetueshme si pasojë e këtyre lidhjeve.

Duhanpirja

Niveli i duhanpirjes ka rezultuar të jetë në rritje. Tendenca në rritje pohet të jetë e lartë te femrat, të cilat gjithnjë e më shumë po bëhen konsumatore të këtyre produkteve. Të dhënat e studimit më të fundit në Shqipëri treguan se niveli i duhanpirjes te femrat është në moshat 13–24-vjeçare 7 për qind, ndërsa te mosha 25–29-vjeçare 10 për qind. Në mesin e burrave përqindja e duhanpirjes rritet dhe arrin pikun në 56 për qind në moshat 30–34-vjeçare. Duhanpirja te gratë është përqendruar shumë në duhanpirëset femra që jetojnë në kryeqytet me rreth 14 për qind, veçanërisht gratë me arsim të lartë, ku 15 për qind e tyre janë konsumatore të duhanit. Ndërsa gjendja ekonomike në stad të lartë kushtëzon 12 për qind të femrave të bëhen konsumuese të duhanit.

Alkooli

Studimi tregon shifra të larta për sa i takon konsumit të alkoolit si te meshkujt, ashtu dhe te femrat. Sipas tij, një në 3 femra ose 32 për qind, si dhe 2 në 3 burra, ose 65 për qind, raportojnë se konsumojnë alkool në nivele të larta gjatë 12 muajve të vitit.

Ndërkohë më pak se 1 për qind e grave dhe 16 për qind e burrave pinë alkool deri në 5 ditë në javë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›