E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërndarja e bonove, ja dokumentet e nevojshme

16/03/2010 Qytetarët kanë shtatë muaj afat për të rimarrë letrat me vlerë nga bankat

Duke filluar nga data 1 prill të gjithë ata qytetarë që kanë depozituar bonot e privatizimit në kompanitë investuese deri në vitin 1998 do të mund t’i tërheqin ato në sportelet e bankave. Me daljen e udhëzimit nga Ministria e Financave për shpërndarjen e bonove të privatizimit, qytetarët do të mund të tërheqin bonot në sportelet e bankave, por do të jenë këto të fundit që do të vendosin për detajet dhe tarifat që do të ndjekin qytetarët deri në rimarrjen e tyre. Paraprakisht mësohet se të interesuarit duhet të kenë patjetër një dokument identifikimi pasaportë ose kartë identiteti, si dhe dokumentin që kanë depozituar bonot. Në rast se një nga këto dokumente do të mungojë atëherë do të jetë e pamundur tërheqja e shumës së bonove që janë depozituar. Ndërkohë, duke pasur parasysh se tashmë kanë kaluar gati 13 vjet që nga dorëzimi i bonove, në rast se individi që ka investuar në fondin e investimit, rezulton i vdekur, kthimi mbrapsht i bonove të depozituara do të bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil që rregullojnë trashëgiminë. Procesi i rishpërndarjes së bonove do të fillojë më 1 prill të këtij viti dhe do të zgjasë 7 muaj, deri më 30 shtator. Ndërkohë nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë do të raportojnë pas 30 shtatorit pranë Ministrisë së Financave për sasinë e bonove që janë shpërndarë dhe ato të mbetura. “Procedura e asgjësimit të bonove të mbetura, do të rregullohet me akt të veçantë, në përputhje me legjislacionin e fushës”, vijon më tej udhëzimi i Ministrisë së Financave. Udhëzimi në fjalë është përgatitur në kuadër të zbatimit të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në fund të vitit të kaluar. Ky ligj detyron ministrinë që të kthejë bonot e privatizimit tek individët dhe për të bërë të mundur këtë ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit, shumica e të cilave nuk është futur ende në përdorim dhe pritet që së shpejti të kalojnë për procesin e legalizimeve. Megjithatë, interesi i qytetarëve duket të jetë shumë i ulët, çka ka ndikuar edhe në vlerësimin e bonove në tregun e shkëmbimit valutor. Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet “Anglo-Adriatika”, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh.

Bonot, vlera 14%

Brenda disa ditësh vlera e bonove të privatizimit rritet sërish në treg. Me fillimin e procesit të pagesave për legalizimin e objekteve me bono privatizimi, vlera e këtyre të fundit arriti në 14 për qind, duke shënuar një rritje me 3 për qind brenda pak ditësh. Duket se fillimi i këtij procesi ka qenë i mbarë për rritjen e vlerës së këtyre bonove, por kambistët nuk shprehen shumë optimist nëse kursi i këmbimit do të rritet sërish apo do të qëndrojë në këto nivele. Kjo për shkakun se nuk është konstatuar fluks i madh qytetarësh, të cilët kërkojnë të blejnë bono, megjithatë dje ka qenë dita e parë dhe nuk mund të flitet saktësisht. Tregu i bonove të privatizimit vazhdon të mbetet një treg i paqëndrueshëm, pasi interesi i qytetarëve nuk është i lartë. Të paktën brenda këtyre dy javëve të fundit vlera e këtyre letrave ka ndryshuar disa herë, por vetëm me rritje. Kështu, para 3 ditësh bonot bliheshin me 11 për qind dhe u shitën nga kambistët me 12.5 për qind, ndërkohë që vetëm 1 javë më parë vlera e tyre arrinte në vetëm 7 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›